Sindikatat e punonjësve shëndetësorë kërcënojnë me protesta nëse ministri i sapo emëruar i Shëndetësisë dhe Qeveria nuk i përfill kërkesat e tyre për ndryshime në propozim ligjin për paga. Kreu i Sindikatës Predrag Serafimov tha se do të presin deri në fund të javës së ardhshme takim me ministrin e ri. Nëse ai nuk i pret në takim, protesta do të ketë në gjithë Maqedoninë.
“Ministri i ri i Shëndetësisë është emëruar para dy ditësh, ne bëmë edhe thirrje publike dhe tani dërgojmë dhe lutje me shkrim që të na pranojë për bisedime. Mendoj se kemi marrë përgjigje se gjatë javës së ardhshme do na pranojë në takim. Anëtarësia jonë u dëshmua, dolën në mënyrë masive në protestë. Kishim madje sulme partiake si nga pushteti ashtu dhe nga opozita. Kjo tregon se kur jemi bashkë jemi të fuqishëm”, tha Predrag Serafimovski, Sindikata e Qendrës Klinike.
Pos Sindikatës së Qendrës Klinike në Shkup, kërkesës për ndryshimet në ligjin për paga me qëllim rritjen e tyre, iu bashkuan edhe shumë Sindikata të tjera, të cilët shprehën revoltën për mos përfilljen e qeverisë ndaj kërkesave të tyre.
“Ligji është i pakuptueshëm dhe me këtë ligj shkelen të drejtat e Sindikatave, ato të drejta të cilat janë luftë dekadëshe të Sindikatave, përmes këtij ligji duan t’i shkelin këta të drejta. Të drejtat për marrëveshjet kolektive dhe të drejtat për paga më të larta”, u shpreh Bllagoja Ralposki, Konfederata e Sindikata të lira.
“Qeveria duhet ta tërheqë draft ligjin për paga, kërkuam edhe para dy muajsh dhe konsiderojmë se ngritja e zërit të Sindikatave kundër këtyre politikave publike Qeveritare, duhet të jetë sinjal i kuq për përfaqësuesit e Qeverisë. Ajo që arriti Qeveria të bëj është se arriti t’i mbledhë të gjitha sindikatat në një vend dhe do të luftojmë deri në fund”, theksoi Sllobodan Trendafillov, Lidhja e Sindikatave.
I kontaktuar nga ALSAT, ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti tha se javës së ardhshme pritet të ketë takime jo formale me përfaqësuesit e Sindikatave shëndetësore dhe të vendosë për hapat e mëtutjeshëm. /Alsat.mk