Xhevdet Pozhari
Shqiptarët e Maqedonisë as që i kujtojnë gjitha partitë që i kanë themeluar deri me tani. Edhe atë gjithmonë sipas të njëjtit parim: duke i bërë nga një parti e keqe, dy të këqija. Kështu, për shembull, pasi që Partia për Prosperitet Demokratik e harxhoi gjithë vrullin politikë shqiptarë, ajo u copëtua thuajse në aq parti sa kishte individ me ambicie lideri në radhët e saj. Dhe u bë nënë nga e cila lindën të gjitha partitë e mëvonshme, me në krye PDSH, e cila duhej ta rikthente shpresën se nuk ishte çdo gjë e humbur. Edhe nga radhët e PDSH-së, e cila posa erdhi në qeveri, e dogji shpresën e shqiptarëve, lindën po aq parti sa kishte ‘Mic Sokola’ në radhët e saj, e që nuk donin të mbeteshin argatë të thjeshtë në ‘kompaninë’ private të Menduh Thaçit.
Procesin e lindjeve të partive të reja shqiptare e ndërpreu konfliktit i 2001, pas të cilët, të kthyerit nga Zvicra, e themeluan BDI-në edhe atë thuajse vetëm sa të kishin instrument për ta mbledhur ‘haraçin’ e lirisë. Dhe nuk arritën asgjë më shumë se ta institucionalizuan vasalizmin dhe t’i forconin partitë maqedonase, duke ua deleguar atyre vullnetin politik shqiptarë edhe atëherë kur vepronin kundër shqiptarëve . Sido qoftë, shumë parti erdhën e u zhbënë. Apo më mirë thënë, thuaje të gjitha përfunduan nëpër gjykata ku dëshmonin se cilës pjese të saj i takojnë vula, e cilës kryetari. Por, pa pyetur se kujt ia kishin lënë besimin e atyre që i kishin votuar, gjë që më së miri dëshmonin se drejtuesit partiak të Maqedonisë nuk i bashkon mes veti ideali, por interesi personal dhe kolltuku qeveritar. Apo se mes shqiptarëve të Maqedonisë ke më shumë të aftë për ta drejtuar partinë dhe për ta marr në duar fatin e popullit, se sa shtëpiar që mund ta mirëmbajnë familjen e vet.
Mbase vetëm Lëvizja Besa nuk lindi nga ndonjë parti e mëparshme edhe pse shumica e drejtuesve të saj kishin ndërruar më shumë parti, se sa kravata. Dhe si e tillë ajo e ngjalli shpresën se do i arsyetonte tri ‘A-të’ në emrin e saj: autoktone, autonome dhe autentike. Si dhe se do bëhet strehimore politike për gjeneratat që nuk kishin hipotekat e atyre që i lidhte mes veti vetëm kolltuku ministror, por idealin dhe vetëdijën se nuk është e turpshme të jesh ambicioz, por është turp të mos dish t’i kontrollosh e t’i barazosh ambiciet me aftësitë që ke. Lëvizja Besa ende ka gjasa të mos i shkelë në besë ata që i besuan se ishte e prirë nga interesi kolektiv, e jo nga interesi i atyre që i luftonin partitë tjera vetëm pse ato nuk ua kishin plotësuar gjitha ambiciet politike. Andaj, edhe cilido gabim që do e bëjnë drejtuesit e Lëvizja Besa, nuk do e ketë vetëm domethënien si disa njerëz nuk ditën ta mbajnë partinë që ua ‘forcoi’ BDI-ja me gabimet e saja, por do ketë edhe dimensionin e dëshpërimit të madh, e madje edhe bindjes se shqiptarët e Maqedonisë politikisht nuk mund të shkojnë përtej kolltukut që ua ofrojnë partitë maqedonase në qeveri dhe përtej interesit personal të krerëve partiak. Si dhe do dëshmojë se thuajse gjitha partitë shqiptare e bëjnë të njëjtin gabim fillestarë që shtrenjtë e pagoi RDK-ja e Rufi Osmani: t’i zgjedhin në krye të tyre të “dëgjueshmit” dhe lehtë të manipulueshmit, të cilët posa e shijojnë forcën e të parit, as familjarët e tyre nuk e kuptojnë se ku është zhdukur ai “kërkushi” i mëparshëm. Po pra, kur bëhet fjalë për
Për Lëvizjen Besa duhet thënë se nëse ajo don ta shpëtojë frymën që e përshkoi në fillimet e saja, drejtuesit e saj do duhet të dëshmojnë se nuk u kanë dhënë besë interesave të veta personale, por votuesve e simpatizantëve të partisë. Përndryshe shumë lehtë do mund të ndodh që të shuhet vullneti rinor që e karakterizon këtë parti dhe ajo të përfundojë aty ku edhe gjitha të tjerat – të bëhet kompani private e drejtuesve të saj. Dhe çdo gjë të matet nëpërmjet asaj sa ata ia kanë dalë të bëhen deputet, ministra, kryetarë komunash…, e jo nëpërmjet asaj që sa dallojnë nga të tjerët: sa nuk shkelin besën që ia japin votuesit dhe sa janë të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm për veprimet e veta!