Me vetëm 7 vota, shumë lehtë dje Këshilli gjyqësor e shkarkoi kryetaren, por sot kur duhej ty zgjidhnin të riun, nuk munden të votojnë, ndonëse të pranishëm ishin gjithsej 12 anëtarë me të drejtë të plotë vote nga totali i përgjithshëm 13. Nënkryetari Selim Ademi u ankua se seanca duhet të shtyhet pasi që anëtarët e Këshillit u pajtuan që kur të bëhet zgjedhja e kryetarit të ri, të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët.
“Për arsye të justifikueshme një anëtar i Këshillit Gjyqësor nuk është sot i pranishëm dhe për arsye se të gjithë pajtohemi se kur kemi pikë të tillë të rëndësishme, zgjedhjen e kryetarit, duhet të gjithë të jemi të pranishëm dhe për këtë arsye seanca e sotme më mirë të anulohet dhe propozimin e vendosi në votim. Kush është për anulim të seancës për më 2 maj? Propozimin e vendosi në votim”- deklaroi Selim Ademi, nënkryetar i Këshillit Gjyqësor.
Kryetarja e shkarkuar Vesna Dameva, nuk deshi të votojë pa hapur debat mbi propozimin e Ademit.
“Duhet të na lejoni të deklarohemi zëvendës. Mos e shkelni rregulloren. Kur vendoset një propozim në votim, hapet debati.”- pohoi Vesna Dameva, ish-kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Proceduralisht e pyeti ish-zëvendësin e tij pse kërkon shtyrje prej dy ditësh dhe nëse kjo bëhet për të arritur shumicën prej 8 votash për kryetar të ri?
“Nuk e di se çka mund të ndryshohet pas 2 ose 3 ditësh, nëse secili prej nesh lexojmë, shqyrtojmë dhe seanca ishte caktuar që mbrëmë. Kemi pasur mjaft kohë dhe një pikë ishte në rend dite. Ju kisha lutur t’i arsyetoni arsyet se përse anulohet seanca edhe pse unë i di, por ja publiku të dëgjojë ndonjë arsye prej jush?”- pohoi Vesna Dameva, ish-kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Dameva i tha zëvendësit të saj Ademi se është dashur t’i mbrojë kolegët nga çfarëdo lloj ndikimi të mundshëm, presioni ose kërcënimi.
“Shumë flisni në thonjëza, por nëse jeni kaq transparente, ja mediat janë këtu, pas përfundimit ose anulimit të seancës mund të mbani konferencë për media, të gjithë mediat janë këtu dhe të tregoni nëse unë Selim Ademi kam kryer presion mbi ju ose tek ndonjë anëtarë tjetër. Këtë e them me përgjegjësi”- tha Selim Ademi, nënkryetar i Këshillit Gjyqësor.
Edhe sot edhe dje nuk ishte e pranishme Mirjana Radevska-Stefkova, por megjithatë dje u votua për shkarkimin e Damevës. Në seancën e sotme duhej të diskutohet për masat që duhet të ndërmerren kundër “shpëtimtarit” të Sasho Mijallkovit, gjykatësit Enver Bexheti. Seanca u shty për më 2 maj.