Sot për të 52-në herë do të mblidhen deputetët për konstituimin e Kuvendit, proces ky që nuk është përmbyllur pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit për shkak të mosmarrëveshjeve të partive parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje nuk po heqë dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Në anën tjetër, kryesuesi po ashtu ka vënë si pikë të rendit të ditës formimin e një Komisioni që do të mundësonte votim të fshehtë në Kuvend për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Partitë tjera, PDK, LDK e AAK, kanë thënë se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Po ashtu, çështja e Komisionit zgjedhor nuk po arrihet në mungesë kuorumi.
Ambasadorët e shteteve mike pritet të marrin pjesë në këtë seancë të rëndësishme.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka njoftuar se nesër është mundësia e fundit për të konstituar Kuvendin para afatit të Gjykatës Kushtetuese.
Ambasadori Rohde, së bashku me kolegë të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën në parlament.
E të enjten, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit.
Ajo ka ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 26 korrik 2025 deri në një vendim të mëtejmë.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio.
Arsyetimi është se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.
Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve për Kuvend.
Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur pas 26 korrikut është në interes publik.
Vendimi është marrë me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës.
Këto zhvillime vijnë në një periudhë të ndjeshme politike për vendin, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Pritet që kjo situatë të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e konstituimit të institucioneve të reja.