Deputetët të cilët për të ardhur në Kuvend udhëtojnë nga qytetet tjera, tani për tani, nuk kanë alternativë përpos se të marrin shpenzime për rrugë. Por, nga LSDM paralajmërojnë se kanë përgatitur zgjidhje që pritet të jetë më e pranueshme financiarisht për buxhetin. Të njëjtat janë dërguar tek të gjithë koordinatorët partiakë për shqyrtim. Njëri nga propozimet nënkupton që ndarja e këtyre mjeteve të mbetet në fuqi, por të rritet kontrolli për të evituar abuzime eventuale.
Problemi më i madh në mënyrën aktuale të ndarjes së shpenzimeve është abuzimi me sistemin. Ka pasur dhe ka deputetë që nuk udhëtojnë çdo ditë, ndërkaq marrin mjete për udhëtim. Me masa dhe mekanizma që do ta pengonin këtë, në mënyrë drastike do të ulej shuma e mjeteve për udhëtim që jepet në nivel mujor – tha Tomisllav Tuntev, LSDM.
Tre masat tjera nënkuptojnë akomodimin e deputetëve në afërsi të vendit të punës.
Alternativën e dytë që ua ofrova kolegëve të mi, është dhënia në shfrytëzim e banesave zyrtare shtetërore. Kemi ndërmarrje për ekonomizim me hapësira banesore dhe afariste, kjo ishte praktikë më herët. Do të thotë, gjatë mandatit, të shfrytëzohet banesa, por të premten, të shtunën dhe të dielën, të na japin si deputetë që të komunikojmë me votuesit tanë prej qytetit ku vijmë – u shpreh Tomisllav Tuntev, LSDM.
Alternativa e tretë është dhënia e kompensimit për jetë të ndarë dhe marrja me qira e banesës. Alternativa e katërt është akomodimi në hotel me tender, për të cilin do të vendosë Kuvendi. Këto ditë në opinion është diskutuar rreth shumave të larta të mjeteve që i kanë marrë një pjesë e deputetëve nga pushteti dhe opozita. Nga 120 deputetë, në Kuvend, madje 71 kanë të drejtë të marrin mjete financiare për udhëtim.

