17 Shtator 2018 / 15:17
Nëse Kushtetuesja vendos ta ndalë procesin e referendumit, Maqedonia do të hyjë në një krizë të re politike. Ky është qëndrimi i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski. Të mërkurën, gjykata pritet t’i shqyrtojë nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për shpalljen e referendumit, të dorëzuara nga Partia “E Majta” dhe Kongresi Botëror Maqedonas.
Hapi për ta penguar referendumin, referendum i cili sipas përmbajtjes së tij nuk do të thotë punë e thjeshtë, madje edhe më shumë, duke pasur parasysh fazën në të cilën po zhvillohet, mendoj se një hap i tillë i Gjykatës Kushtetuese do të çonte në një krizë të thellë politike, rënien e shtetit dhe mendoj se duhet të gjenden forca, të ndërgjegjshme, në vetë Gjykatën Kushtetuese, kjo të mos lejohet – deklaroi Trendafil Ivanovski, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Në nismën e Të Majtës thonë se vendimi i parlamentit për referendum është jo kushtetues dhe në kundërshtim me Ligjin për referendum sepse ky dokument nuk i ka të gjitha pjesët e nevojshme. Nga E Majta shtojnë se pyetja e referendumit është manipuluese dhe e shumëkuptimtë. Përveç kësaj, referendumi ka të bëjë edhe me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, gjë që parashikon organizimin e një referendumi tjetër. Por, sipas Ivanovskit, argumenti i tyre nuk mban pasi referendumi nuk është për anëtarësim në strukturat euro-atlantike por plotësimin e kushteve të nevojshme.
Ky referendum, në rastin konkret, nuk është referendum për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, por vetëm për krijimin e kushteve për anëtarësim në NATO dhe BE”. Në raste të tilla, duhet të vlerësohen parimet themelore të Kushtetutës që janë pak më të gjera se sa një kuptim i ngushtë për ndonjë shkeljeje formale në një pjesë të procedurës – u shpreh Trendafil Ivanovski, Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, Ivanovski thotë se nuk do ta befasonte ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe, gjykatësja raportuese për këtë iniciativë është Elena Gosheva, e cila sipas disa mediave tashmë propozon që Gjykata Kushtetuese të shqiptojë masë të përkohshme – stopim të të gjitha aktiviteteve për mbajtjen dhe zbatimin e referendumit.
Alsat-M


