Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shtruar një drekë për të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, dhe stafin e saj, me rastin e Ditës së Falënderimeve.
Zyra e Kryeministrit njofton se kjo traditë tashmë është në vitin e saj të dytë dhe synon të shndërrohet në një aktivitet shumëvjeçar që forcon marrëdhëniet ndërmjet zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës së SHBA-së.
Sipas njoftimit, dreka përfshiu shumë nga ushqimet tradicionale të Ditës së Falënderimeve, festë kjo që në Shtetet e Bashkuara kremtohet prej afro 400 vjetësh dhe u shpall festë kombëtare nga Presidenti Abraham Lincoln në vitin 1863.
“Ajo ofron një mundësi të mirë për të shprehur falënderim për marrëdhëniet që ndajmë, të cilat vazhdojnë të thellohen,” thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeministrit thekson se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, mirënjohje dhe respekt të ndërsjellë.
Në kuadër të forcimit të këtyre raporteve bilaterale, sipas njoftimit, këtë vit Qeveria ka vendosur 0% tarifa për mallrat amerikane, ka arritur dakordime për strehimin e përkohshëm të shtetasve të vendeve të treta dhe ka realizuar prokurime të rëndësishme në fushën e mbrojtjes.
Ky aktivitet shënon një tjetër hap në thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke kombinuar traditën diplomatike me festimin e vlerave kulturore dhe historike të festës amerikane.



