Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë fjalën në seancën e përbashkët që po mbahet mes Kuvendeve të Kosovës e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ka folur për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe ka përmendur sulmet terroriste që kanë ndodhur atje, raporton Gazeta Sinjali.
Ai tha se Kosova ka shtrirë sovranitetin në veri të vendit si asnjëherë më parë.
“Si asnjëherë më parë kemi shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës, kemi integritet territorial, në Kosovë mund të ketë akte sporadike terroriste, por nuk ka më burime të brendshme që mund të na e cenojnë sigurinë apo stabilitetin.
Terrorizmi i paramilitarëve të orkestruar e të financuar nga Serbia është shprehje e pafuqisë së tyre, dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt në kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste, por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre”, ka thënë mes tjerash Kurti.