Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim në lidhje me pagat e magjistratëve dhe deklaratat e bëra nga gjyqtari i Apelit të GJKKO-së, Engert Pëllumbi në lidhje me këtë përplasje mes qeverisë dhe pushtetit gjyqësor.
Në një reagim në rrjete sociale, qe pason ate te disa oreve më parë, kryeministri thotë se askush nuk mund ta zëvendësojë dot Parlamentin dhe ta urdhërojë pushtetin legjislativ se kur duhet që të ngrejë dorën.“Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrësesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën”, shkruan ai.
Më tej, kryeministri nënvizon se politika e pagave propozohet nga qeveria, miratohet nga Kuvendi dhe zbatohet nga ekzekutivi. Ai deklaron gjithashtu se Gjykata Kushtetuese mund të ndërhyjë vetëm në rastet kur cenohet një parim apo normë kushtetuese, ndërsa vendimmarrja për mënyrën se si duhet të votojë ligjvënësi i takon vetë Parlamentit.
“Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria. Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm nëse cënohet një parim a një normë kushtetuese, që ligjvënësit duhet ta riparojnë pa u cënuar në pavarësinë e tyre, siç e shohin ata të udhës të shprehen me votën e tyre”, shton ai.
Në lidhje me kallëzimin e bërë për këtë ngërç, ai e cilëson si një sfidë nga e cila nuk tremben, por sipas tij, shqetësohen pa masë.
“Por ne nuk duam të jetë kështu dhe unë nuk dua ta lejoj që të ndodhë kështu, sepse ndryshe nga si e mendon ky gjykatësi mediatik, kjo e pagave stratosferike, për ne nuk është çështje inati po sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë”.
Në fund, ai shton se tryeza për takimin e kërkuar vazhdon të jetë gati.
“Eshtë shumë e thjeshtë. Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura”, shton ai.
REAGIMI I PLOTE:
E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar…”
Kurrë jo, kjo nuk është gjuhë gjykatësi, po gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it.
Keqardhje dhe disa të vërteta të thjeshta:
Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrësesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën.
Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria. Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm nëse cënohet një parim a një normë kushtetuese, që ligjvënësit duhet ta riparojnë pa u cënuar në pavarësinë e tyre, siç e shohin ata të udhës të shprehen me votën e tyre.
Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb po na shqetëson pamasë. Por ne nuk duam të jetë kështu dhe unë nuk dua ta lejoj që të ndodhë kështu, sepse ndryshe nga si e mendon ky gjykatësi mediatik, kjo e pagave stratosferike, për ne nuk është çështje inati po sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë.
Eshtë shumë e thjeshtë. Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura. Përkundrazi, ajo nuk lindi nga episodi i pagave dhe do të jetë edhe më e madhe në çdo hap deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve:-)
The post Pagat e magjistratëve, Rama reagon sërish: Askush s’e urdhëron legjislativin kur duhet të ngrejë dorën! Nëse na imponohen me kallëzime, jemi përpara një sfide që s’na tremb! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



