Sot, në mbledhjen e Këshillit të Komunës së Butelit, u miratua BUXHETI rekord prej 828 milionë denarësh, i cili është më i madhi në historinë e komunës. Kryetari i komunës, Darko Kostovski, theksoi se ky buxhet është i dedikuar ekskluzivisht për zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
“Është një buxhet zhvillimor, një buxhet që do të shfrytëzohet vetëm për nevojat e qytetarëve të Komunës së Butelit. Të gjitha fondet do të përdoren për realizimin e kërkesave dhe projekteve që i shërbejnë interesave të qytetarëve,” tha Kostovski.
Kryetari i Komunës u shpreh i zhgënjyer për faktin se këshilltarët e BDI-së nuk e mbështetën këtë buxhet dhe nuk përkrahën projekte të rëndësishme, si ndërtimi i ujësjellësit në Luboten dhe Lubancë, ndërtimi i rrugëve të reja dhe projekte të tjera zhvillimore.
Në buxhetin e miratuar janë ndarë 178 milionë denarë për projekte kapitale, të cilat përfshijnë:
- Ndërtimin e një parku në Radishan;
- Krijimin e një shtegu për këmbësor përgjatë lumit Serava;
- Ndërtimin e një kopshti për fëmijë në Butel 2;
- Rregullimin e shtratit të lumit Serava;
- Rikonstruksionin e rrugëve kryesore dhe një numri të madh rrugësh të tjera;
- Ndërtimin e kanalizimeve të reja dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese;
- Ndërtimin e qendrave sportive dhe rekreative, si dhe fushave dhe këndeve për lojëra për fëmijë.
Gjithashtu, është parashikuar mbështetje për klubet sportive, bursa sportive dhe subvencione për rinovimin e çative dhe fasadave. Një tjetër prioritet është rritja e fondeve për ndihmën ndaj familjeve në nevojë sociale dhe organizimin e aktiviteteve kulturore e sportive.
Kostovski theksoi gjithashtu se për këtë buxhet nuk janë parashikuar fonde për përfaqësime, shpenzime udhëtimi apo shpenzime joproduktive. “Paratë e qytetarëve do të përdoren vetëm për projekte që i shërbejnë atyre,” tha ai.
Në fund, ai u shpreh se viti 2025 do të jetë një vit zhvillimi i mëtejshëm për Komunën e Butelit, me shumë projekte të reja dhe të rëndësishme që do të përmirësojnë jetën e të gjithëve. “Vazhdojmë për një Komunë Butel moderne, të qëndrueshme dhe të begatë,” përfundoi Kostovski.