20 Nëntor 2018 / 14:12
Kosova nuk mori 2/3 e votave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, Interpol. Në rrethin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, anëtarësimin e Kosovës e mbështetën 76 shtete, kundër ishin 56 dhe 22 abstenuan, ndërsa në rrethin e dytë të votimit e mbështetën 68 shtete, 51 ishin kundër dhe 16 abstenuan. Kryeministri, Ramush Haradinaj vlerësoi se votimi kundër pranimit të Kosovës në Interpol i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti. Haradinaj fajësoi fushatën e egër të Serbisë.
Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”- tha Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.
Edhe Presidenti, Hashim Thaçi tha se nuk mund që Serbia e cila sipas tij, ka kryer gjenocid ndaj popullit shqiptar të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ai tha se zgjidhja është dialogu Kosovë-Serbi, andaj ftoi të gjitha palët të unifikohen.
Ftoj spektrin politik dhe institucional se ne duhet t’i hyjmë procesit seriozisht, të përgatitemi mirë, në mënyrë unike, një platformë të përbashkët shtetërore, të arrijmë një marrëveshje të përhershme me Serbinë dhe t’i heqim qafe njëherë e përgjithmonë dhe pastaj antarësohemi në të gjitha organizatat ndërkombëtare, edhe në NATO, edhe në BE dhe OKB”- deklaroi Hashim Thaçi, president i Kosovës.
Për shefin e diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli me rezultatin e sotëm ka fituar vetëm e keqja.
Sot nuk ka fitues, nuk ka fituar as Kosova, as Serbia. Por mund të them që i vetmi fitues sot është e keqja” – tha Behgjet Pacolli, Ministër i Jashtëm i Kosovës.
Në reagimin e menjëhershëm, ambasada amerikane mos-pranimin e Kosovës e vlerësoi si humbje për të gjithë.
Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL asnjëherë nuk ka qenë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan” – thonë nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.
Dështimin e Kosovës, Serbia po e interpreton si fitore të saj. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se diplomacia serbe sot ka pasur një sukses, por se e njëjta nuk duhet ta poshtërojë Prishtinën. Kryediplomati serb, Ivica Daçiq tha se autoritetet kosovare nuk ia dolën dot pavarësisht se u munduan shumë dhe pavarësisht mbështetjes së Austrisë. Ai madje tha se paraprakisht kishte paralajmëruar Kosovën të mos provonte të anëtarësohej në Interpol, sepse nuk do ta bënte dot. Kjo ishte përpjekja e tretë e Kosovës që të hyjë në Interpol, pas përpjekjeve në vitit 2010 dhe 2015. Përndryshe, sot Interpolit iu bashkëngjit edhe Kiribati dhe Vanuatu, që e çuan në 194 numrin e shteteve anëtare.


