Pas çdo ciklusi zgjedhor dhe shpalljes zyrtare të rezultateve, partitë fituese të zgjedhjeve si nga blloku politik maqedonas po edhe ai shqiptarë bëjnë pazarllëqet e tyre për formimin e koalicionit qeverisës. Mirëpo, ndonëse kësaj rradhe me më pak përfaqësues shqiptarë në kuvend, shqiptarët kanë shansin historik që së pari ta rrëzojnë nga troni kryeministrin me politika nacionaliste dhe antishqiptare, dhe të formojnë një qeveri me pozita më të avancuara për shqiptarët. E gjithë kjo, meqë tani çelësi kryesor për formimin e qeverisë është pikërisht në dorën e partive politike shqiptare. Por ajo që është diskutabile dhe si kryetemë debati në opinion e më gjërë, është fakti nëse formimi i qeverisë së ardhshme, gjegjësisht marrëveshja për koalicionim të qeverisë ndërmjet partive politike të bëhet në formë publike ose jo, që të jetë transparente edhe për publikun. Se sa janë gjasat reale të ndodhë një gjë e tillë, portali Almakos ka marrë qëndrimin e disa analistëve politikë, gazetarë dhe aktivist i sektorit civil.
Shpëtim Pollozhani: Të gjithë flasin për të njëjtën sëmundje, kurse ofrojnë pesë diagnoza
“Të gjithë shqiptarët i kanë të njejtat kërkesa të formuluara në mënyra të ndryshme. Shkurt e shqip. Të gjithë flasin për të njëjtën sëmundje kurse ofrojnë pesë diagnoza. Gjendja e jonë është rezultat i atyre pesë terapive. Fat që pacienti(unë, ti, ai pranë teje)akoma është i gjallë. Faza e parë e zgjidhjes së problemit tonë është flakja e shpirtit të robit. Njeriut të lire nuk i duhet shumë që ta gjejë rrugën e vërtetë”, deklaroi për Almakos, Shpëtim Pollozhani, kryetar i shoqatës së burgosurve politik në Maqedoni.
Xhevdet Pozhari: Transparenca, gjith[ka varet se cilat parti do të koalicionojnë
“Varet për çfarë koalicioni bëhet fjalë. Dhe cilat parti do të jenë nënshkruese. Pyetja është shumë hipotetike. Më e rëndësishme sesa përmbajtja e marrëveshjes dhe publikimi i saj, është se kush do jenë garantuesit e zbatimit të saj. Sepse, fatkeqësisht deri më tani u dëshmua se në Maqedoni nuk është respektuar asnjë Marrëveshje politike kur kanë qenë në pyetje të drejtat e shqiptarëve. Por, ka ndodhur e kundërta – zvarritja deri në pafundësi për realizimin e të drejtave themelore që do të duhej ti kishin prej kohësh shqiptarët e Maqedonisë. Me përfaqësuesit e deritanishëm, BDI- në, në Qeveri dhe si pjesë të asaj marrëveshje mbetet shumë pak hapësirë për të shpresuar në ndryshime përmbajtësore”, deklaroi për Almakos, Xhevdet Pozhari, gazetar dhe kryeredaktor i portalit Sakte.
Ajet Rexhepi: E domosdoshme transparenca për formimin e qeverisë së re
“Kësaj rradhe mendoj se është mëse e domosdoshme që formimi i Qeverisë së re të Maqedonisë të jetë transparente, e qartë, precize dhe me afate të caktuara kohore për realizimin e asaj marrëveshje. Lodhja e popullit gjatë gjithë këto vite nga mosrealizimi i premtimeve parazgjedhore dhe mënyra se si populli pa hamendje e shprehi vullnetin e tij nëpërmjet votimit nuk u jep më komoditet liderëve politik shqiptarë”, deklaroi për Almakos, Ajet Rexhepi, aktivist i sektorit civil.