Tre shkollat fillore në komunën e Dibrës, nëpërmjet projektit “Përforcimi i këshillave komunal”, të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim dhe Programit për zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë përfituar pajisje përkatëse të kabineteve shkollore. Është një projekt i cili faktikisht u mundëson shkollave të komunës të kenë kabinete të kompletuara meqë deri tani nuk kanë patur pajisje dhe procesi edukativo – arsimor ka qenë i cenuar. Në shkollën më të madhe fillore komunale në Dibër “Penestia”, ku arsimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase, në shkollën “Sait Najdeni”, ku arsimi zhvillohet në gjuhën shqipe, si dhe në shkollën “Riste Ristevski”, në fshatin Kosovrasti i Poshtëm ku arsimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, me këtë projekt tërësisht janë kompletuar kabinetet me instrumentet e nevojshme muzikore. Deri tani asnjë nga shkollat nuk kishin instrumentet e nevojshme për të zhvilluar mësimin në lëndën e muzikës në përputhje me programet mësimore.
Kryetari i komunës Dibër Hekuran Duka, ka informuar se projekti “Përforcimi i këshillave komunale”, faktikisht në fazën e dytë, ka vendosur që prioritet t’i jepet projektit në sferën e arsimit i cili parashikon furnizimin e shkollave fillore komunale me pajisje përkatëse të kabineteve të tyre.
“Projekti ka patur tre forume ku u propozuan projekte nga 4 tematika: infrastruktura, arsimi, kultura sporti dhe hapësira publike. Në fund me shumicë votash fitoi projekti nga sfera e arsimit i cili parashikon furnizimin e shkollave komunale me pajisje përkatëse të kabineteve të tyre. Ky projekt u financua nga Agjencia zvicerane për zhvillim, kurse 10% konfinancim ishte i Komunës së Dibrës”, ka informuar kryetari Duka.
Në shkollat “Penestia” dhe “Said Najdeni” u shpërndanë vegla muzikore për kabinetet e muzikës. Në ditët në vazhdim do të shpërndajmë edhe pajisjet të tjera të cilat janë porositur në bazë të kërkesave, thotë drejtori i shkollës më të madhe fillore në Dibër “Penestia”, Ajet Mullarexha. Mullarexha për gazetën KOHA ka deklaruar se projekti ka një domethënie shumë të madhe për procesin edukativo- arsimor. “Me këtë projekt faktikisht shkolla ka kompletuar me instrumente muzikore kabinetin e shkollës, dhe tani arsimtarët dhe nxënësit kanë mundësitë që të realizojnë tërësisht programin mësimor në këtë lëndë. Deri tani instrumentet kanë munguar dhe jam i mendimit se projektet të këtilla janë të mirëseardhur për shkollat në interes në nxënësve”, thotë drejtori Mullarexha. Arsimtarët të muzikës të shkollave në Dibër potencojnë se është një projekt shumë efikas i cili u mundëson që në tërësi të realizojnë orët në lëndën e muzikës. Ata shtojnë se lënda e muzikës pa instrumente nuk mund të realizohet ashtu siç duhet. Tani janë tejkaluar problemet me mungesën e instrumenteve, shtojnë arsimtarët e muzikës. Përfaqësuesit të komunës dhe shkollave fillore në të gjithë projektet kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe deri tani me sukses janë përfituar shumë projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e pajisjeve nëpër shkollat e Dibrës, por edhe për sanimin e objekteve shkollore dhe realizimit të projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e procesit edukativo arsimor. (koha.mk)