Zv.kryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo”, me të cilin kemi diskutuar për tema të ndryshme. Ai foli për kohën e tij në BDI, Qeverinë e re, Koalicionin VLEN, si dhe arratisjen e Artan Grubit.
“E kam komentuar tepër çështjen e BDI-së, është kapitull i mbyllur. Nuk më vjen mirë kur e shoh atë parti e cila ka dalë nga lufta, për të cilën shqiptarët kanë dhënë bijtë e tyre, i kanë dhënë vota, ka bërë edhe punë të mira në 20 vitet e fundit, mirëpo kohën e fundit u teprua. Siç deklaroi edhe Glauk Konjufca, edhe mjalta e tepërt të bënë dëm. Vitet e fundit BDI u tjetërsua dhe u kap nga individë të cilët nuk kanë qenë në BDI për shkak të idealit, por kanë ardhur atje për shkak të qeverisë, karrierës dhe përfitimeve të tyre. E tjetërsuan dhe e vunë në shërbim të Mijallkovit dhe Gruevskit”, tha Mexhiti.
I pyetur se kur ka qenë hera e fundit që ka komunikuar me Ali Ahmetin, Mexhiti tha se fizikisht është parë para një viti kur ka pasur rast vdekje.
“Me siguri ka një vit që kam komunikuar me Ali Ahmetin. Hera e fundit kur jemi parë fizikisht ka qenë kur ka ardhur për ngushëllime për vdekjen e dajës tim. 20 vite kam qenë atje, me ata që kam pasur komunikim vazhdoj të mbaj komunikim”, tha Mexhiti.
I pyetur për OBRM-PDUKM-në si parti, ai tha se ka shumë rëndësi personi që e udhëheq një subjekt politik.
“Në vitin 2008 kur u bë qeveria me OBRM-PDUKM-në e Gruevskit kishte moratorium për çështjen shqiptare. Nuk mund të bëhet paralele me atë OBRM-PDUKM. Ata që i njohin rrethanat politike shumë varet se kush e udhëheq një parti politike. Brenda gjashtë muajve Mickoski ka marrë pjesë në ngjarje shqiptare, kemi manifestuar Marrëveshjen e Ohrit, Ditën e Alfabetit, që nuk ka qenë rast me Gruevskin, i cili nuk ka marrë pjesë në asnjë manifestim të Marrëveshjes së Ohrit. OBRM-PDUKM-ja njihet si nacionaliste, mirëpo ne nuk e kemi zgjedhur atë. Edhe BDI ka dashur të bëhet pjesë e Qeverisë me këtë OBRM-PDUKM”, tha Mexhiti.
Kurse sa i përket Ligjit për përfaqësim të drejt, i cili është paralajmëruar nga VLEN-i pas shfuqizimit të “Balancuesit” nga Gjykata Kushtetuese, Mexhiti tha se për 90 përqind të përmbajtjes së ligjit është arritur marrëveshje.
“Do të jetë ligj i veçantë, sa i përket përmbajtjes për 90 përqind jemi dakorduar. Fillimisht do të jetë në qeveri dhe më pas në seancë kuvendare. VLEN dëshmon kapacitet që menaxhon situatat dhe është kreativ në këto dhe qytetarët duhet ta bëjnë dallimin nëse e mendojnë se si do të ishim ne me LSDM-në me 42 deputetë”, tha Mexhiti.
Ndërsa në lidhje me Artan Grubin, Mexhiti theksoi se “tema e tij u mbyll në mënyrën që e ka merituar”.
“U mbyll tema e Artan Grubit në mënyrën më të keqe, që deri diku edhe e ka merituar. Tash është ngritur padi dhe merret drejtësia me të, mendoj që është punë e tyre. Kjo qeveri nuk ka ardhur në prerje që me një vendim të shkarkojë të gjithë funksionarët. Një pjesë e mirë e funksionarëve janë të qeverisë së kaluar”, tha Mexhiti.
“Politika kur definohet është art i të mundurës. Mos harrojmë që në anën tjetër kemi Frontin që pretendon se është Europian. Mos harrojmë që LSDM dhe OBRM-PDUKM funksionojnë me më shumë parti politike. Kur kam qenë brenda BDI-së ka pasur më shumë fërkime, dallime dhe luftë të brendshme, se sa tash në VLEN kur janë katër parti. BDI ka pasur një lloj monopoli dhe ishte më e theksuar lufta e brendshme, e cila në disa momente ka shkuar edhe në ekstrem. VLEN është ombrellë e 4+1 partive politike. Takimet koordinuese janë të rregullta. Normal që ka konkurrencë brenda, por kjo nuk na defokuson nga programi dhe qëllimet. Kemi bërë komision kadrovik të përbashkët, jemi duke punuar për të formuar komisionet ekonomike, arsimore etj, të cilat do të jenë të VLEN-it e jo të partive politike”, tha Mexhiti.