Ish-deputeti Azgan Haklaj i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bajram Begaj që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai argumenton se Shqipëria ndodhet përballë një situata që kërkon vlerësim të integruar të sigurisë në vend dhe rajon.
Ai përmend masën e sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, kontrollet e SPAK në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe arrestime të personave në nivele të larta të policisë. Haklaj ngre pyetje nëse këto zhvillime mund të kenë pasoja për sigurinë kombëtare dhe nëse është cenuar informacioni i klasifikuar.
“Pikërisht këtu shtrohet nevoja për Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sepse pyetjet janë të mëdha: A është cenuar siguria kombëtare? A është komprometuar informacion i klasifikuar? A ka pasur rrjedhje informacioni nga strukturat e sigurisë? A ka pasur depërtim të interesave kriminale në institucione shtetërore? A kemi të bëjmë me një “minishtet” kriminal që kishte mbërthyer si oktapod institucionet e shtetit shqiptar?”, shkruan ish deputeti.
Po ashtu Haklaj thekson se mbledhja e Këshillit nuk duhet të bëhet për “alarmizëm” apo retorikë politike, por për të analizuar rreziqet që mund të prekin Shqipërinë, Kosovën dhe hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare duhet të diskutohen zhvillimet në Kosovë pas vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë, situata institucionale në Kosovë, deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Postimi i plote:
THIRRJE PUBLIKE PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, SH.T.Z. BAJRAM BEGAJ:
MBLIDHE KËSHILLIN E SIGURISË KOMBËTARE!
Zoti President:
Shqipëria ndodhet përballë një tabloje të re dhe serioze të sigurisë kombëtare dhe rajonale.
Në këtë moment, heshtja institucionale nuk mjafton.
Nevojitet një vlerësim i përbashkët, koordinim institucional dhe përgjegjësi shtetërore.
Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ndërsa Këshilli i Sigurisë Kombëtare është organ këshillimor i Presidentit.
Prandaj kërkesa është e qartë:
ZOTI PRESIDENT, MBLEDHNI KËSHILLIN E SIGURISË KOMBËTARE!
Jo për alarmizëm.
Jo për retorikë politike.
Por për një panoramë të plotë të rreziqeve dhe kërcënimeve që prekin Shqipërinë, Kosovën dhe hapësirën shqiptare në rajon.
HAGA, UÇK-JA DHE PASOJAT PËR SIGURINË EUROATLANTIKE!
Në tryezën e Këshillit duhet të analizohen zhvillimet pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe pasojat e tij politike, juridike e rajonale.
Për këtë vendim të Gjykatës së Hagës ndaj çlirimtarëve ka patur një dekleratë konsensuale të Parlamentit të Shqipërisë, por kjo nuk mjafton.
Çështja duhet parë edhe në raport me ndërhyrjen euroatlantike të vitit 1999, Rezolutën 1244 dhe praninë e KFOR-it në Kosovë.
NATO e lidh mandatin e KFOR-it me Rezolutën 1244 dhe me përgjegjësinë për ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Prandaj Shqipëria duhet të vlerësojë çdo zhvillim që prek stabilitetin e Kosovës, përceptimin e luftës së saj çlirimtare dhe arkitekturën euroatlantike të sigurisë në rajon.
KRIZA INSTITUCIONALE NË KOSOVË!
Duhet të analizohet kriza institucionale në Kosovë dhe çdo zhvillim që mund të cenojë stabilitetin politik, institucional dhe të sigurisë së saj.
Stabiliteti i Kosovës është pjesë e drejtpërdrejtë e interesit strategjik të Shqipërisë dhe i sigurisë së Ballkanit Perëndimor.
SERBIA, DEKLARATAT E VUÇIÇIT DHE PASIVIZIMI NË PRESHEVË!
Duhet të vlerësohen deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me Kosovën dhe statusin e saj, në kuadrin e sigurisë rajonale.
Por kjo analizë nuk mund të shkëputet nga gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në këtë kuadër duhet të shqyrtohet edhe çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si një çështje që lidhet me regjistrimin e banorëve, përfaqësimin dhe ushtrimin efektiv të të drejtave të tyre.
Kosova dhe Lugina e Preshevës nuk mund të trajtohen si dy realitete të shkëputura në analizën strategjike të Shqipërisë.
MAQEDONIA E VERIUT DHE MARRËVESHJA E OHRIT!
Në tryezë duhet të jenë zhvillimet në Maqedoninë e Veriut.
Jo vetëm deklaratat dhe qëndrimet e Levica-s ndaj UÇK-së së vitit 2001, por edhe çdo zhvillim politik që mund të prekë zbatimin dhe ekuilibrat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Marrëveshja e Ohrit u ndërtua mbi parimin e zhvillimit paqësor të një shteti demokratik e multietnik dhe mbi respektimin e identitetit dhe interesave të komuniteteve.
Prandaj:
Çdo përpjekje për dobësimin, relativizimin apo zhbërjen e këtyre ekuilibrave duhet të vlerësohet si çështje e rëndësishme për stabilitetin ndëretnik dhe rajonal.
ZHVILLIMET NË MAL TË ZI DHE POZITA E SHQIPTARËVE!
Në këtë panoramë nuk mund të mungojë Mali i Zi.
Duhet të vlerësohen zhvillimet dhe tensionet që prekin shqiptarët, përfshirë çështjet e përdorimit të simboleve kombëtare dhe të drejtave të tyre politike e kulturore.
Më dt 11-të shtator 2026, Policia e Malit të Zi njoftoi se një kolonë prej 13 automjetesh, me rreth 20 shtetas të huaj, kryesisht shqiptarë nga Shqipëria, u kontrollua në pikën kufitare Vraçenoviçi–Deleusa dhe iu kërkua heqja e simboleve shqiptare nga automjetet, duke iu referuar ligjit malazez për rendin dhe qetësinë publike.
Këto zhvillime duhet të shqyrtohen me qetësi, në bazë të fakteve dhe të së drejtës, pa lejuar që çështjet e simboleve, identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve të shndërrohen në burime tensioni rajonal.
KUSHTETUTA E SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËT JASHTË KUFIJVE!
Këtu Shqipëria ka një referencë të qartë kushtetuese.
Neni 8, pika 1, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton se:
“Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.”
Ky është një përcaktim kushtetues.
Prandaj, kur në Kosovë, Preshevë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi apo në hapësira të tjera ku jetojnë shqiptarë shfaqen zhvillime që prekin të drejtat kombëtare, stabilitetin apo sigurinë e tyre, Shqipëria ka një bazë të qartë kushtetuese për t’i ndjekur dhe vlerësuar ato brenda së drejtës ndërkombëtare.
Kjo nuk do të thotë ndërhyrje në punët e shteteve të tjera.
Do të thotë përgjegjësi shtetërore për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe interesit të shqiptarëve jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.
RËNIA E “FORTESËS”, AGASI DHE SIGURIA E SHTETIT SHQIPTAR!
Dhe këtu kemi zhvillimin më të fundit.
Hetimet që lidhen me Ergys Agasin kanë prekur tashmë nivele të larta të strukturave shqiptare të sigurisë.
Më 22 shtator 2026, GJKKO ka caktuar ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, ndërsa SPAK ka kryer kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe në banesa të tjera të lidhura me hetimin, ndërkohe ka kryer arrestime në nivele të larta të policisë.
Raportimet publike bëjnë fjalë edhe për dyshime që lidhen me nxjerrjen e sekretit shtetëror.
Këto janë çështje që duhet t’i vërtetojë drejtësia dhe nuk mund të trajtohen si fakte përfundimtare përpara përfundimit të procedurave gjyqësore.
Por pikërisht këtu shtrohet nevoja për Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Sepse pyetjet janë të mëdha:
A është cenuar siguria kombëtare?
A është komprometuar informacion i klasifikuar?
A ka pasur rrjedhje informacioni nga strukturat e sigurisë?
A ka pasur depërtim të interesave kriminale në institucione shtetërore?
A kemi të bëjmë me një “minishtet” kriminal që kishte mbërthyer si oktapod institucionet e shtetit shqiptar?
Këto pyetje nuk janë pronë e një partie.
Janë pyetje të shtetit shqiptar.
KËRCËNIMET HIBRIDE, KIBERNETIKE DHE EUROATLANTIKE!
Në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon dhe kërcënimet hibride, kibernetike e dezinformimi janë pjesë e realitetit të sigurisë euroatlantike, Shqipëria duhet të ketë një vlerësim të integruar të këtyre rreziqeve.
Kërcënimi nuk është më vetëm ushtarak.
Është informativ, kibernetik, kriminal, ekonomik, politik dhe hibrid.
Prandaj edhe përgjigjja e shtetit duhet të jetë e integruar.
SHQIPËRIA NUK MUND TË JETË VETËM VËZHGUESE!
Jemi vend anëtar i NATO-s.
Jemi pjesë e arkitekturës euroatlantike të sigurisë.
Kushtetuta na ngarkon me mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve tanë.
Prandaj duhet:
Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Të thirren institucionet përkatëse.
Të paraqiten raportet e sigurisë.
Të analizohet situata në Kosovë.
Të vlerësohen zhvillimet në Serbi dhe në Luginën e Preshevës.
Të shqyrtohet gjendja në Maqedoninë e Veriut dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Të ndiqen zhvillimet në Mal të Zi dhe pozita e shqiptarëve atje.
Të vlerësohet gjendja e sigurisë brenda Shqipërisë pas hetimeve që kanë prekur strukturat e larta të sigurisë.
Të shqyrtohen kërcënimet hibride, kibernetike dhe kriminale.
Të verifikohet nëse informacioni i klasifikuar shqiptar është cenuar.
Dhe mbi të gjitha:
TË PËRCAKTOHET NJË QËNDRIM I QARTË I SHTETIT SHQIPTAR PËRBALLË ÇDO RREZIKU QË CENON SIGURINË KOMBËTARE DHE EUROATLANTIKE.
KRYEFJALA DHE KALLËZUESI I STRATEGJISË SHQIPTARE NË BALLKAN:
SIGURIA KOMBËTARE!
Kosova.
Presheva.
Maqedonia e Veriut.
Mali i Zi.
Adriatiku.
Ballkani Perëndimor.
Nuk janë pika të izoluara në hartë.
Janë pjesë e një hapësire strategjike ku çdo krizë mund të prodhojë pasoja për sigurinë rajonale.
Prandaj Shqipëria duhet të ketë vlerësim, koordinim, parashikim dhe qëndrim shtetëror.
KY NUK ËSHTË MOMENTI PËR PANIK.
ËSHTË MOMENTI PËR SHTET.
Zoti President,
MBLIDHENI KËSHILLIN E SIGURISË KOMBËTARE!
Shqipëria duhet ta dijë çfarë po ndodh përreth saj.
Duhet të mbrojë sigurinë e saj.
Duhet të mbrojë interesat e saj kombëtare.
Duhet të mbrojë, brenda kushtetutës dhe së drejtës ndërkombëtare, të drejtat kombëtare të shqiptarëve jashtë kufijve të saj.
Dhe duhet të jetë një aktor i përgjegjshëm i sigurisë euroatlantike.
SHQIPËRIA DUHET TË JETË SUBJEKT I SIGURISË SË SAJ, JO VETËM VËZHGUESE E NGJARJEVE!
Zoti President:
Mblidheni Këshillin e Sigurisë Kombëtare
The post Masat për Vlora Hysenin e Ilir Prodën, Azgan Haklaj thirrje Presidentit: Mblidh Këshillin e Sigurisë Kombëtare! Shqipëria s’mund të jetë vetëm vëzhguese e ngjarjeve appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


