Historiani dhe ish-ambasadori Sylë Ukshini, e cilëson politik vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I ftuar në emisionin “Debat në SHENJA”, ai deklaroi se, mënyra e themelimit dhe funksionimit të Gjykatës Speciale, si dhe vendimi i saj, lidhen me përpjekjet për “disiplinimin e faktorit shqiptar në Ballkan”.
Sylë Ukshini, Historian dhe ish-ambasador
“Mënyra qysh është formuar gjykata speciale, mënyra se si ka funsionuar dhe dënimi, mendoj se është për ta disciplinuar faktorin shqiptar në Ballkan. Unë mendoj se përçarjet qe janë krijuar në skenën politike në Kosovë dhe përçarjet që ekzistojnë në Maqedoni dhe demonstratat në Shqipëri nuk them që nuk janë të arsyeshme. Unë mendoj që ky vendim i Hagës është politik sikurse është edhe gjykata”.
Ndërkaq, profesori universitar Mevludin Ibish, foli për hapat që, sipas tij, duhet të ndërmerren në vijim lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai vlerësoi se një nga hapat e parë duhet të jetë ristrukturimi i ekipit të avokatëve dhe një qasje më e detajuar në fazën e apelimit, veçanërisht në lidhje me dëshmitarët dhe dokumentet e shqyrtuara gjatë procesit.
Mevludin Ibish, profesori universitar
“Do të duhet gjithsesi në apel të kalohet me argumentim më të madh për procesin e dëshmitarëve, të bëhet analizë të gjitha dokumenteve dhe mundësisht kjo të kalohet në fazën e dytë dhe të rishikohet. Ky është momenti i parë. Momenti i dytë është të bëheni Izraeli apo Hungaria me çështjen e gjyqit ndërkombëtar penal dhe të thonë se nuk e pranojmë të tillë edhe pse jemi nënshkrues”.
Ndërsa publicisti Iljasa Salihu, ka vlerësuar se zhvillimet lidhur me ish-krerët e UÇK-së në Hagë e kanë gjetur Kosovën në një situatë të rënduar politike, me një qeveri jofunksionale dhe pa president.
ljasa Salihu, Publicist
“E tërë kjo gjendje e rënduar Kosovën e zë me Qeveri jofunksionale, pa president, po ashtu me qëndrime të kundërta, sa që të krijohet përshtypja që kundër vendimit kemi të bëjmë me antagonizmat Vetëvendosje–PDK, ose krahu i luftës apo krahu i gjysmëluftës, se nuk mund t’i themi Vetëvendosjes, sepse në mesin e tyre kemi edhe të luftës, edhe të atillë që kanë pasur dëshirë presidentin ta shohin në Hagë dhe i kanë cilësuar kriminelë”.
Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Ardonit Ismaili, ka vlerësuar se në situatën aktuale nevojitet një unitet i madh politik lidhur me çështjen e UÇK-së. Ismaili tha se përçarja dhe politizimi i kësaj çështjeje duhet të shmangen, ndërsa si faktorë që, sipas tij, kanë ndikuar historikisht në situatën në Ballkan, përmendi Serbinë dhe propagandën ruse.
Ardonit Ismaili, ekspert i sigurisë
“Historikisht problematiku në Ballkan ka qenë Serbia dhe propaganda ruse. Neve na nevojitet një unitet i madh politik, jo vetëm në Kosovë. Neve na nevojitet një unitet i madh edhe ne Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri mbi çështjen esenciale për UÇK-në, pasi nesë nuk ishin ata burra, të cilët janë në Hagë nuk do të ishim ne në Maqedoni, dhe nuk do të ishin shqiptarët atje në Shqipëri. Konfliti i vitet 97/99 mund të përshkallëzohet edhe përtej kufijve”.
Ndërkaq, veç situatës në Hagë, u diskutuan edhe tema të tjera lidhur me sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Protestat në Shqipëri e Kosovë, situata e tensionuar në Serbi, armatimi i saj nga Kina dhe zhvillimet e tjera politike të cilat ngrenë pyetjen nëse paqja në Ballkanin Perëndimor është një stabilitet i qëndrueshëm apo një armëpushim i brishtë.
Anida Murati /SHENJA/



