Irani paralajmëroi sot se çdo sulm i ri nga SHBA-ja ose Izraeli do të përballet me një përgjigje më të fortë, duke thënë se ka përgatitur objektiva të mundshëm për hakmarrje dhe ka zgjeruar ndjeshëm kapacitetin e prodhimit të armëve, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Reza Talaei-Nik tha se çdo sulm i ripërtërirë do të përballet me “përgjigje vendimtare” dhe do të rezultojë në humbje më të rënda për kundërshtarët e Iranit, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars.
I pyetur se si do t’i përgjigjet Irani një sulmi të mundshëm në Kuh-e Kolang (Mali i Kazmës), Talaei-Nik tha se objektivat që mund të goditen nga forcat e armatosura iraniane në përgjigje të agresionit të ripërtërirë janë përgatitur tashmë.
Ai tha se armët dhe teknologjitë e përparuara, përfshirë aftësitë e raketave dhe dronëve, mbrojtjen ajrore të përmirësuar dhe sisteme të tjera detare, tokësore dhe ajrore, janë vënë në dispozicion të forcave të armatosura. Sipas tij, objektivat e mundshëm që mund të goditen nga forcat e armatosura iraniane në përgjigje të një sulmi tjetër janë identifikuar dhe përgatitur tashmë.
Talaei-Nik tha se Irani ka pajisur forcat e tij të armatosura me “teknologji më të përparuara raketash dhe dronësh”, si dhe sisteme të përmirësuara të mbrojtjes ajrore, detare dhe tokësore. Zëdhënësi njoftoi se kapaciteti prodhues i Iranit për armë, pajisje mbrojtëse dhe municione është rritur 2.5 herë krahasuar me nivelet para luftës që filloi më 28 shkurt.
“Prodhimi i disa llojeve të armëve është rritur më shumë se trefish”, informoi ai. Talae-Nik theksoi se më shumë se 1.000 sisteme, armë, lloje pajisjesh dhe municionesh janë aktualisht brenda kapacitetit të prodhimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe rrjetit të saj partner.
Ai tha se bashkëpunimi i Iranit me Rusinë dhe Kinën në fushën e mbrojtjes nuk është ndalur dhe as nuk është zvogëluar pavarësisht zhvillimeve të fundit. Talae-Nik tha se bashkëpunimi strategjik me Moskën dhe Pekinin mbetet aktiv sipas marrëveshjeve ekzistuese, me shkëmbime që vazhdojnë në fushat politike dhe të mbrojtjes.
Zëdhënësi shtoi se diplomacia mbrojtëse dhe konsultimet me të dy vendet janë intensifikuar në disa fusha, pa dhënë detaje.
Tensionet e fundit vijnë pas luftës SHBA-Izrael kundër Iranit që filloi më 28 shkurt, gjatë së cilës sulmet shënjestruan objektet ushtarake dhe bërthamore iraniane dhe zyrtarët e lartë ushtarakë ndërsa Teherani u hakmor me sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit dhe objektivave ushtarake amerikane në rajon.


