Irani disponon rreth 1.500 deri në 2.500 raketa, pavarësisht muajve të tërë të sulmeve amerikane dhe izraelite që kanë shënjestruar infrastrukturën e tij ushtarake, transmeton Anadolu.
Gjetjet vënë në pikëpyetje pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, se kapacitetet ushtarake të Teheranit janë shkatërruar kryesisht.
Duke cituar zyrtarë amerikanë, gazeta Wall Street Journal raportoi se vlerësimi sugjeron se Irani ende zotëron një arsenal të konsiderueshëm raketash, të aftë për të kërcënuar objektivat amerikane dhe të aleatëve të saj në rast të rifillimit të luftimeve.
Zyrtarët thanë se vlerësimi ka një shkallë të ulët besueshmërie, kryesisht për shkak të vështirësive në përcaktimin e numrit të raketave të gatshme për lëshim dhe atyre që vazhdojnë të jenë në depo.
Megjithatë, sipas raportit, procesi i rindërtimit të arsenalit ka përparuar me ritëm më të ngadaltë krahasuar me periudhën para luftës.
Teherani gjithashtu ruan një numër të konsiderueshëm dronësh dhe raketash me rreze të shkurtër veprimi, duke shtuar aftësinë e tij për të goditur objektiva në të gjithë rajonin, thuhet në raport.
Sipas raportit, zyrtarët ushtarakë izraelitë vlerësojnë se Irani disponon më shumë se 1.500 raketa balistike, megjithëse vlerësimet në rajon ndryshojnë.
Simone Ledeen, ish-zv/ndihmës sekretare e Mbrojtjes së SHBA-së për Lindjen e Mesme, tha se edhe vlerësimi më i ulët do të nënkuptonte se Irani ka rikthyer më shumë se gjysmën e arsenalit të tij raketor të periudhës para luftës.
Sulmet me raketa dhe dronë të Iranit kanë vazhduar të nxjerrin në pah dobësitë e instalimeve ushtarake amerikane, sistemeve të radarëve dhe infrastrukturës së paralajmërimit të hershëm në të gjithë Lindjen e Mesme, sipas raportit.
Deri më tani, Washingtoni ka zgjedhur të vazhdojë presionin ekonomik ndaj Teheranit përmes sanksioneve dhe bllokadës, në vend që të ndërmarrë një tjetër ofensivë të madhe ushtarake.
Aleatët e Gjirit kanë paralajmëruar kundër rifillimit të luftimeve, për shkak të frikës nga sulmet hakmarrëse iraniane, ndërsa Izraeli vazhdon të kërkojë veprime të mëtejshme ushtarake, raportoi gazeta./
MARKETING
<!–



