Dhuna brutale ndaj vajzës së re në Ohër, pavarësisht nga kualifikimi i saj juridik si dhunë në familje, nuk guxon të perceptohet si një problem privat. Ajo është simptomë e një patologjie të thellë shoqërore, e një kulture në të cilën po gërryhet respekti për autonominë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Dhuna ushqehet nga pandëshkueshmëria, selektiviteti i drejtësisë, kultura e poshtërimit dhe diskursi publik në të cilin agresiviteti paraqitet si forcë, ndërsa toleranca si dobësi.
Pushteti mban përgjegjësi për klimën e vlerave që krijon dhe riprodhon. Pushteti politik ka edhe një funksion normativ në shoqëri, pasi me sjelljen e vet ndikon në perceptimin kolektiv të asaj që është e pranueshme dhe e lejueshme. Qëndrimi i tij ndaj kritikëve, atyre që mendojnë ndryshe dhe diversitetit nuk mbetet pa pasoja në kulturën më të gjerë të sjelljes shoqërore. Në një mjedis ku dhuna është normalizuar, çdokush që është apo perceptohet si i ndryshëm bëhet viktimë e mundshme për shkak të gjinisë, përkatësisë etnike, orientimit seksual, bindjeve politike apo thjesht për shkak të këmbënguljes në të drejtën për të qenë i lirë dhe vetvetja.
Vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti, 1.144 gra janë evidentuar si viktima të veprave penale në sferën e dhunës në familje. Krahas numrit të viktimave, duhet të na shqetësojë edhe shkalla e desensibilizimit të shoqërisë ndaj vuajtjeve të tyre, atrofizimi gradual i ndjeshmërisë sonë morale kolektive.
Patologjia më e thellë e shoqërisë nuk është vetë ekzistenca e së keqes, por integrimi gradual i saj në përfytyrimin tonë për normalitetin.
Këtij normaliteti duhet t’i kundërvihemi me vendosmëri!



