Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu ka bërë të ditur se ka përfunduar procedurën për lëndën që lidhet me rastet e Hagës, duke vlerësuar se iniciativa e paraqitur nga Pavle Trajanov është e pabazë.
Duke folur sonte ekskluzivisht në emisionin “Debat në SHENJA”, Kadriu sqaroi se raportin me shkrim për këtë lëndë e ka përgatitur para pesë deri në gjashtë muajsh. Ai tha se në raport ka përfshirë edhe petitumin, përkatësisht propozimin se si duhet të vendoset lidhur me iniciativën e Trajanovit.
“Për këtë lëndë, para pesë-gjashtë muajsh e kam përfunduar procedurën. Kam përgatitur raport në formë të shkruar dhe, në fund të raportit, siç është rregulli në Gjykatë, raporti ka edhe petitum. Petitumi është propozimi se cili duhet të jetë fati i iniciativës së paraqitur nga z. Pavle Trajanov. Iniciativa është pa bazë. Këtu një rrethanë shumë e rëndësishme është arsyeja pse e kam propozuar atë përfundim. E kam elaboruar me fakte dhe akte. Gjykata Kushtetuese për këtë çështje ka vendosur njëherë. Edhe në drejtësi këtë e quajmë res judicata, ose çështje e gjykuar”, deklaroi Kadriu.



