Përfaqësimi i shqiptarëve në njësitë speciale të sigurisë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet temë e debatit. Derisa në njësinë speciale “Tigrat”, edhe pas 45 vitesh ekzistencë, ende nuk ka pjesëtarë shqiptarë, një shembull krejt ndryshe ishte dhënë në vitin 2019 nga njësiti special “Ujqit”.
Në atë kohë, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, i shoqëruar nga këshilltari për siguri nacionale, Blerim Kolalli, bëri të ditur se për herë të parë pjesë e “Ujqve” do të jenë edhe shqiptarët.
Gjatë një vizite në Batalionin e Shërbimeve Speciale, Pendarovski kishte theksuar se ky zhvillim përbënte një hap drejt ndërtimit të një ushtrie vërtet multietnike, që pasqyron përbërjen e shoqërisë në vend.
“Për herë të parë Njësiti ‘Ujqit’ kanë pjesëtarë të etnisë shqiptare dhe me këtë kontribuon për krijimin e vërtetë të një Armate multietnike që pasqyron shoqërinë tonë”, kishte deklaruar Pendarovski.
Ndërkohë, situata në njësinë speciale policore “Tigrat” mbetet e pandryshuar sa i përket përfaqësimit shqiptar.
Pavarësisht 45 viteve nga themelimi, asnjë shqiptar nuk është bërë pjesë e kësaj njësie, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme mohojnë se ekziston diskriminim.
Rasti i “Ujqve” në vitin 2019 rikthen në vëmendje pyetjen se pse një hap i tillë drejt përfaqësimit multietnik nuk është reflektuar edhe te “Tigrat”. /Almakos














