Derisa presidenti Donald Trump është ulur në karrigen më të fuqishme botërore pas inaugurimit spektakolar dhe ka nënshkruar urdhrat e para ekzekutive, liderët e Maqedonisë së Veriut ende nuk mund ta marrin veten nga ekzaltimi i vizitës së tyre në SHBA. Kampi politik qeveritar i shtetit me shumë halle e probleme elementare që prej korrupsionit e deri tek ajri i ndotur apo funksionimi normal i aparatit shtetëror, agjendën politike e ka zhvendosur në Uashington, ku sytë dhe veshët e botës janë të hapur për të parë e dëgjuar hapat e administratës së re amerikane në lidhje me politikën e re globale.
Hristijan Mickoski, Izet Mexhiti, Afrim Gashi, Timço Mucunski, Arben Taravari, Zekirija Ibraimi dhe Viktorija Trajkov, janë emrat e politikanëve që po marrin pjesë në inaugurimin e Trumpit. Sipas tyre, pjesëmarrja është me ftesë, por kush ua ka dërguar këto ftesa nuk ka informata, ashtu siç nuk dihet nëse të njëjtat janë blerë nga lobi grupet. Por një gjë është e sigurt, ftesat nuk kanë ardhur nga presidenti Trump, ashtu siç tentojnë të shesin propagandë partitë. Mbase do të ishte naive të mendohej se politikanë të një shteti me ndikim të parëndësishëm në politikën globale, siç është Maqedonia e Veriut të cilën madje për ironi e bllokon Bullgaria për të nisur negociatat për integrim në BE, do të kishin hapësirë të gjendeshin në listën e të ftuarve të presidentit Trump.
Megjithatë, politikanët dëshirojnë ta quajnë ftesë në aktivitetet inauguruese, e që për hir të vërtetës, krahas përfaqësuesve nga vendi ynë, atje marrin pjesë edhe mbi 200 mijë persona të tjerë.
Është interesante që funksionarët vendas nuk kanë publikuar asnjë fotografi të përbashkët. Mickoski, takimet dhe vizitat në aktivitetet inauguruese i realizon me Timço Mucunskin dhe Viktorija Trakov, por në asnjë material nuk shihet i shoqëruar nga ndonjë përfaqësues qeveritar shqiptar edhe pse atje ndodhen shumica e krerëve të VLEN.
Nga një perspektivë tjetër zëvendësi i parë i Mickoskit, Izet Mexhiti, ka publikuar fotografi ku thotë se vizita realizohet në kuadër të delegacionit qeveritar, megjithatë në asnjë material nuk shihet prezenca e kolegëve Mickoski apo Mucunski.
Arben Taravari nga ana tjetër, i cili ndodhet në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët ka publikuar disa fotografi dhe një video nga pjesëmarrja e tij në një sallë ku shkruan se ceremonia e inaugurimit të presidentit Donald Trump është një festë që bashkon.
Në një cep tjetër të Uashingtonit është shkrepur e vetmja fotografi e përbashkët e disa prej përfaqësuesve të VLEN-it. Izet Mexhiti, Afrim Gashi dhe Zeqirija Ibraimi, kanë pozuar në një vend ku mbrapa shihet objekti i Kapitolit, brenda të të cilit Trumpi dha betimin presidencial. Kryetari i Kuvendit, Gashi në mbishkrimin e tij në Facebook thotë se janë atje për të dëshmuar përkushtimin serioz në forcimin e aleancës me SHBA-të, duke i uruar presidentit për marrjen e detyrës.
Vizitën dhe aktivitetet e politikanëve të vendit në Uashington, e kanë ironizuar qytetarët nëpër rrjetet sociale, duke aluduar se vizita në fakt më shumë i ngjan një udhëtimi shoqëror se sa një delegacioni shtetëror.
Derisa Mickoski, në Facebook njoftonte se bashkë me kryetarin e Partisë Republikane të SHBA-së, Majkëll Vatli në këndin VIP në Uashtingon i ndjek aktivitetet inauguruese të presidentit Trump, një qytetar ironizon se kryeministri bashkë me biletën e blerë ka fituar edhe dylbi për ta parë Trumpin.
Plotësisht, një qytetar tjetër thotë se Mickoski po merr pjesë në miting të hapur, ndërkaq po shitet në opinion si ekskluzive dhe kjo nuk ka kurrfarë pikëtakimi me inaugurimin e presidentit Trump.
Në një postim tjetër, Mickoski poston një video nga salla e mbushur me dhjetëra mijëra persona, ku po mban fjalim Elon Musk. Kryeministri, ka qenë mjaft larg dhe është detyruar ta afrojë optikën e kamerës, e cila ka prishur cilësinë e fotografisë saqë nuk duket mirë fytyra e Muskut.
“Afroje afroje, nuk po afrohet, korrespodenti juaj nga Uashingtoni, Hristijan Mickoski”, ironizon një qytetar.
“Të mos i mendoni edhe këta nga VLEN, kanë gjetur parking të mirë që të fotografohen me Kapitol Hill”, shkruan një qytetar tjetër për fotografinë e Mexhitit, Gashit dhe Ibrahimit. /Alsat.mk