Mersel BILALLI
Fushata tani më ka filluar. Ata që na mbytën serisht na ofrohen si shpëtimtarë. Por, të fillojmë t’i numrojmë vetëm disa dështime nga të cilët edhe djalli do të skuqej.
E para, dështim serioz në projektet strategjike siç janë posaçërisht – “Korridori Tetë – (K8)” me të gjitha komponentat e veta në vlerë prej mbi tetë miljardë evro, si dhe obstruimi i gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline). Në ndërkohë “K8” intenzivisht është duke u zëvendësuar me “Via Ignatia” greke, me çka edhe sikur të ndërtohet “K8” në të ardhmen, rentabiliteti i tij do të jetë në pikëpyetje. Këtu pos interesit tonë, dukshëm është dëmtuar edhe interesi i Vashingtonit dhe Brukselit. Çështja me emrin qëllimisht u pat dramatizuar që të minohen këta projekte dhe njëherit i gjithë procesi euroatlantik. Më pas u përqafuar projektin rus “Rrjedha Jugore” i gjigantit “Gasprom” dhe u dëshmua se e mira paska kufi, por jo edhe e keqja. Të gjitha idealet u hudhën në moçal. Dhjetëra miliarda evro dëm!
E dyta, dhënia e pëlqimit për “Shkupin 2014” qëllimi i të cilit ishtë vjedhja historike e parave publike (shpërlarja e parave) dhe njëherit provokim ndaj Grekëve me qëllim që ata të na blokojnë në integrimet euroatlantike dhe kështu të mos ketë kush monitorojë vjedhjet. Tani kemi mbet si një ujdhesë e shkretë e banuar me hororе ku fort mirë jetojnë pushtetarët, kurse vuajnë gjithë tjerët. Nga ky projekt djallëzor do të na mbeten – “Porta e ekzodit” që të na rikujtojë shpërnguljen marramendëse sikur ajo e Ebrejve të Mojsiut. Do të na mbetet – “Hajduti mbi Kalë” që të na rikujtojë se çfar gomarësh patëm hyp mbi kalë. Do të na mbetet – “Muzeu i skamjes dhe i vuajtjes” ku pasardhësit tanë shekuj me radhë do të na vajtojnë sikur se te “Murri i Vajit” në Jeruzalem. Do të na mbetet – “Qoseto me Thikë”, që kishtë therr gjyqësorin. Do të na mbeten “Fontanat” që do të na përkujtojnë përmbytjet e përmasave biblike të Noit. Do të na mbeten “Anijet në të Thatë” që të na rikujtojë se se sa herë na u fol për oaza, u ndeshëm me shkretira.
E treta, bashkëpunimi në krimin e organizuar që aq shumë pasuroi pushtetarët kurse varfëroi qytetarët. Logaritet se krimi i drejtëpërdrejtë në Maqedoni këto dhjetë vite ka qenë në mbi pesë miliardë evro, pra afro dy buxhete shteti (shif, Global Financial Integrity), kurse ai indirekt dhjetë here më tepër.
E katërta, partizimi i skajshëm kadrovik me çka çdo gjë u shkatërua. Institucionet u mbushën me njerëz të zbrazur. U afirmuan të paaftit që të vetmin talent kanë ngjitjen e plakatave, e kjo shkatëroj, tregun e lirë, arsimin, kulturën, shndetësinë… Ministri videokirurg lëvdoj shndetësinë, kurse organizata kyqe evropiane “Europe’s Health Care Services“, na rangoj në vendin e fundit. Pushteti lëvdohej me “Duing biznis”, a çdo i treti banor jeton në skamje. Pushteti lëvdohet me “zhvillim të lartë ekonomik”, a organizatat relevante tregojnë se jemi në mesin e dhjetë vendeve me ekonomi më të dobët në botë.
E pesta, margjinalizimi total i popullates shqiptare si pjellë e inferioritetit patologjik të udhëheqësve të saj. Madje edhe ligje me peshë i janë besuar VMRO-së t’i pregadisë, e që mandej Jankullovska “gjithë mandatin të jetë rahat”. U premtua njëri nga tri funksionet kyq – atë e morri era. Se presidenti të zgjidhet në parlament – atë e morri uji. Se do të jemi për 6 muaj në NATO – atë e morri djalli. Se gjuha do të avansohej – tani na u pre gjuha! Kolekcion aq i madhë thikash pas shpine elektoratit. Madje ishin të gatshëm t’i përkrahnin edhe ndryshimet kushtetuese për larje të parave. Bile edhe luani famkeq i tyre u pat bë i yni! Të pavetëdijshëm se sikur edhe miliona njerëz të përkrahin mashtrimin, ai mbetet vetëm mashtrim.
E gjashta, poshtrimi i popullatës shqiptare këta 10 vite të fundit u shndërrua në sistem. Udhëheqësit tanë mbyllën sytë edhe atëherë kur duhej më së shumti t’i kenë të hapur. Mbyllën veshët edhe atëherë kur duhej t’i kenë më të çelur. Na quajtën “Indijanci”, “Shiptari” , “Divljaci”, “Nepismeni”. U përkëmbë krenaria jonë që të ruhet xhepi i tyre.
E shtata, U inskenua Kumanova si shembull klasik i kokave të sëmura, se xhepi i ndokujt është mbi jetën e çdokujt. U shkatëruan lagje të tëra. Shumë të vrarë, tmerre e trauma. Mish të bollshëm për top, por pozitën e ndokujt se luajti topi. Shumë shpejtë ”Monstra” do tregoje se çfar monstrumi janë ata që ndërtuan aso drejtësie që dënon të pafajshmit e i shpërblen fajtorët. Do të shofim se s,paska asgjë më të rrezikshme se sa ndërgjegja e prishur.
E teta, me pajtim të partive shqiptare u ndryshua Kushtetuta që të zvogëlohet cenzusi për zgjedhjen e presidentit nga 50 në 40 përqind. Defaktorizim i pakuptimt i shqiptarizmit nga vet Shqiptarët!!!
E nënta, nga 31 investime që u lobuan nga qeveria, të gjitha shkuan në lindje të shtetit. Për ne mbetën zona boshe e Tetovës për shkalavitje të gomarëve vendas.
Andaj këta njerëz duhet të përshëndeten me politikën, para se ajo të përshëndetet me ta. Çdo vonesë regjistron tarifë të re. Fundin e shef edhe ai që s’ka sy dhe e dëgjon edhe ai që s’ka veshë. Askujt gjer tani si ka ndodhur që populli t’ia blokoj rrugë! Duke ruajtur pushtetin humbën ndërgjegjen dhe gjithçka që shkon me te. Me hile deshën të hyjnë në histori, por përfunduan në zoologji. Pra, qenka shumë më lehtë të jesh pushtatar se sa njeri!