Koalicioni “Rilindje me Besë” nuk do të presë ofertë, por do të japë ofertë për përfshirje në Qeveri. Kështu tha nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, gjatë emisionit “Ora e Fundit”, në Klan Kosova. Ai tha se të enjten koalicioni “Rilindje me Besë” do të ketë mbledhje të kryesisë, ndërsa nga pasnesër do ta shpalosin këtë ofertë.
Duke u përgjigjur në pyetjen për koalicionimin e mundshëm me partitë tjera, Ibrahimi tha se për VMRO-DPMNE-në, ‘vija e kuqe’ është vendosur shkaku i lidershipit të saj, duke theksuar se me Gruevskin nuk bëjnë koalicion.
“Për VMRO-DPMNE është ‘vija e kuqe’ për shkak të lidershipit të saj”, tha prerë Ibrahimi duke shtuar se me Gruevskin në asnjë mënyrë nuk do të bëjnë koalicion. E njëjta gjë, theksoi Ibrahimi, vlen edhe për BDI-në pasi që ata kanë një lidership përafërsisht të njëjtë me atë të VMRO-së, për shkak të proceseve të ngritura nga Prokuroria Speciale.
Ibrahimi tha se pjesë e ofertës së koalicionit “Rilindje me Besë”, do të vihet theksi tek disa interesa strategjike të vendit dhe disa çështje që ndërlidhen me interesin shqiptar, siç janë përkrahja e punës së Prokurorisë Speciale, themelimi i Gjykatës Speciale, të bëhet regjistrimi i popullsisë, integrimi i vendit në NATO, zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, decentralizimit fiskal dhe zhvillimi i shkencës dhe arsimit shqip në Maqedoni.