Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi për veprën penale – Dhënie ryshfeti, nga neni 358 paragrafi 1 i Kodit Penal.
I dyshuari i ka dhënë ryshfet një zyrtari në Ministrinë e Ekonomisë, me qëllim që ai të kryente një veprim zyrtar që nuk duhej ta kryente, përkatësisht t’i siguronte licencë për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike, pa paraqitur fare kërkesë për licencë dhe në rrethana kur e dinte se objekti i tij nuk i plotësonte kushtet ligjore.
Për shkak të rrezikut të arratisjes së të dyshuarit për këtë vepër penale, për të cilën parashihet dënim me burgim prej 1 deri në 10 vjet, si dhe për faktin se ndaj tij zhvillohet edhe një procedurë tjetër penale për Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, prokurori publik i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit.
I dyshuari deri më tani ka qenë i siguruar si i akuzuar në një procedurë tjetër. Megjithatë, duke pasur parasysh se për atë vepër po skadojnë afatet ligjore për sigurimin e pranisë së tij, ndërsa prokurori publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vazhdon të mbledhë prova lidhur me veprimet e ryshfetit, ai ka vlerësuar se rreziku për sigurimin e pranisë së të dyshuarit është i madh dhe ka kërkuar caktimin e paraburgimit.
Prokuroria Publike vlerëson se paraburgimi është masë absolutisht e domosdoshme për sigurimin e pranisë së të dyshuarit, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe bazat ligjore.
Zyrtari që ka pranuar ryshfetin tashmë është i akuzuar dhe ndaj tij zhvillohet procedurë gjyqësore për veprën penale të pranimit të ryshfetit.



