Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sqaruar arsyet pse partia e tij e ka propozuar 26 janarin si datë për zgjedhjet e reja.
Gjatë një takimi me presidenten Osmani dhe përfaqësues të tjerë të partive politike, Haradinaj theksoi se vendi ka nevojë të shkojë sa më shpejt në zgjedhje për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë.
Ai ndau këto dështime në tri grupime: marrëdhëniet ndërkombëtare, kapjen e institucioneve dhe problemet ekonomike.
“Ju kam ftuar këtu për tri grupime të dështimeve të Qeverisë së vendit, të cilat janë edhe arsyeja pse AAK e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve,” deklaroi Haradinaj.
Sipas tij, dështimet në marrëdhëniet e jashtme janë evidente, sidomos me aleatët më të rëndësishëm të Kosovës, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Ai e kritikoi qeverinë për kapjen e institucioneve të pavarura, duke thënë se nuk ka mbetur asnjë institucion që nuk i është armiqësuar nga kjo qeveri.
Haradinaj gjithashtu nënvizoi dështimet ekonomike, duke përmendur mos-investimet, stagnimin e pagave dhe paaftësinë për të ndaluar rritjen e çmimeve.
“Këto janë arsyet kryesore edhe pse në takimin e djeshëm e propozuam 26 janarin si datë të zgjedhjeve, në mënyrë që Kosovës t’ia shkurtojmë për disa javë këtë gjendje dëshpëruese,” përfundoi ai./Telegrafi/