Pak ditë përpara ditës së zgjedhjeve, fushata elektorale degjeneroi në kërcënime me jetë. Kryetari i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski nga mitingu i një nate më parë në Dellçevë në mënyrë të drejtë për drejtë kërcënoi kreun e LSDM-së. Gruevski tha se po të ishte gjallë Goce Dellçevi do t’ia dërgonte Qoseton që ta likuidonte Zaevin.
“Ai gjeti ta citoj Dellçevin. Unë do ti tregoj. Po të ishte i gjallë sot Dellçevi, ai nuk do të mund të përshëndetej me të, atij do i dërgohej vetëm Qoseto që t’i jepte fund historisë me atë njeri”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së.
Nga LDSM-ja kërcënimet e Gruvskit për dhunë i cilësuan si dëshmi për dëshpërimin, frikën dhe panikun që e përjeton kreu i VMRO DPMNE-së.
“Porositësi dhe përgjegjësi për dhunë, Gruevski edhe për këto por edhe krimet e tjera ndaj qytetarëve dhe pronës së Maqedonisë do të përgjigjet para gjykatës e cila do të jetë e pavarur pas 11 dhjetorit”, theksuan nga LSDM-ja.
Sipas profesorit Mitko Gaxhovski deklaratat e tilla ndezëse mund ta dëmtojnë procesin zgjedhor dhe nxisin incidente në ditën e zgjedhjeve.
“Në kohën kur fushatës zgjedhore i afrohet fundi liderët politik përdorin çdo letër përfshirë atë nacionaliste, niveli i komunikimit politik veçanërisht në fund të fushatës duhet të jetë shumë i kujdesshëm, pasi publiku është i angazhuar për zgjedhje të lira dhe demokratike, por nëse ngrihen tensione në këtë moment mund të nxiten incidente të cilat do të dëmtonin imazhin e shtetit”, u shpreh Mitko Gaxhovski, profesor.
Sipas Gaxhovskit thirrjet për dhunë nuk mund të kontribuojnë për fitimin e më shumë votave përkundrazi mund të shkaktojnë efekte negative sidomos te qytetarët ende të papërcaktuar.