Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për punonjësit blu, Shkelzen Ruska (shef i krimeve në Komisariatin e Himarës), Ervis Alisinanaj (shefi i krimeve në Komisariatin e Lushnjes) dhe Erdit Hazizaj (ish-efektivi i Forcave Operacionale), të cilët janë të përfshirë në bandën e Eldian Allushaj dhe të Kristo Qiricit, vëllai i Edmond Papës.
Pjesë e bandës ishte dhe ish-polici Elvis Dervishi. Oficerët kishin për detyrë të informonin trafikantët për lëvizjet e policisë, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Komunikimet e tyre u siguruan pas zbërthimit të aplikacionit të krimit SkyECC.
Kristo Qirici ka rezultuar në komunikime me Shkëlzen Ruskën, ky i fundit shef i policisë në Himarë, i vënë tanimë në pranga. Ruska i kërkoi dhomë në Sky Hotel në bregdetin e Sarandës, Qiricit. Shefi i policisë së Himarës i dërgon emrin e tij të plotë Qiricit dhe pikërisht këtu është bërë i mundur edhe identifikimi i tij. Hoteli ndodhet në pronësi të Edmond Papës, dhe Qirici e adreson Ruskën që të lidhet direkt në telefon me vëllanë e tij.
Kristo Qirici dhe Eldian Allushaj rezulton nga hetimet se janë “kokat” e grupit të cilët nuk janë arrestuar pasi mendohet se ndodhen jashtë vendit prej disa vitesh.
Organizata kriminale mbjell kanabis jo vetëm në ambiente të hapura por edhe ato të mbyllura, ndërsa në trafikimin e saj duken të pashqetësuar.
Në komunikime përmendin mjaft emra të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ish-kandidati i PD për Bashkinë e Roskovecit, Erdit Hazizaj, i larguar nga Policia e Shtetit në vitin 2022, del në komunikime në SkyEç me Kristo Qiricin dhe Shkëlzen Krajën, një tjetër emër i skeduar në trafikun e drogës.
Nga bisedat mes tyre, trafikantët thonë se “e kanë të zgjedhur punën me shtet”. Ç’ka krijon sigurinë tek ata se nuk do të goditeshin nga Policia e Shtetit në ushtrimin e veprimtarisë kriminale të trafikut të drogës.