Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka ankimuar vendimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila i caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, në Apelin e Posaçëm.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.
Për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprave penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim,
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Ndaj të atit të deputetës së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Pirro Xhixho, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Së fundmi, ndaj Ema Çokut, u caktua masa e sigurisë “ detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprës penale ““Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.