
Lëvizja BESA dhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, kanë reaguar pas fjalimit të fundvitit të Presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov.
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, tha se disa thekse në fjalimin e Ivanovit nuk janë korrekte në raport me kërkesat e Lëvizjes BESA për procesin e Ridefinimit të shtetit. Ai tha se paraqitjet mediatike të përfaqësuesve të shtetit, më shumë bëhen për interesa mediatike, për ndërtim të figurave të tyre dhe aspak nuk kanë të bëjnë me përmirësimin e gjendjes reale të qytetarëve.
“Nuk mundet askush më në Maqedoni të thirret në mbrojtjen e një sistemi juridiko-kushtetues i cili është në dëm të të gjithë qytetarëve, sidomos të shqiptarëve. Dhe nëse dikush tenton me çdo kusht ta mbrojë këtë sistem, mendoj se gabon rënd. Ai qëndrim është në dëm, pikërisht qëndrimet e tilla janë radikale dhe janë në dëm të qytetarëve të Maqedonisë.”, ka deklaruar për TV SHENJA, Afrim Gashi, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA .
Gashi tha më tej se secili e vazhdon agjendën që ka dhe se Lëvizja BESA është e bindur se Maqedonisë i duhet ridefinimi i shtetit, dhe se ne tanimë duke qenë në Kuvend, ata do të bëjnë ç’mos që këto procese t’i hapin në të gjitha instancat shtetërore, me qëllim të përmirësimit të sistemit juridiko-kushtetues.
E ndërkaq ndaj fjalimit të presidentit Ivanov, kanë reaguar edhe nga LSDM-ja nga ku thonë se sulmet e Ivanovit janë vazhdimësi e politikave konfliktuoze të Gruevskit. Në komunikatën dërguar mediave nga LSDM thonë se Ivanov është pjesë përbërëse e, siç thonë ata, problemit që për dhjetë vjet po e zvarrit Maqedoninë mbrapa.
“Sulmet e Gjorgje Ivanovit drejtuar shumicës së qytetarëve të cilët zgjodhën ndryshimet, drejtuar PSP-së, BE-së, NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare, janë vazhdimësi e politikave të konfliktit të mentorit të tij Nikolla Gruevski. Ai me faljet e paligjshme dhe anti-kushtetuese, u radhit në mbrojtje të krimit, kundër interesave të popullit dhe vonë është të arsyetohet, për gjithçka do të ketë përgjegjësi. Qytetarët e kuptuan se këta politikanë joserioz, Gruevski dhe Ivanov, i rrezikuan interesat e qytetarëve dhe të shtetit dhe duan izolim të Maqedonisë për t’i shpëtuar kriminelët.”, kanë thënë nga LSDM.
Ivanov në fjalimin e tij të fundvitit, mes tjerash, porositi se nuk do të lejojë Federalizim dhe dygjuhësi pasi është kapitull i mbyllur, dhe se për të kërkuar shtet binacional dhe dygjuhësi duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë në bazë të të cilit shqiptarët do të kishin ose jo të drejtë për të kërkuar këto gjëra.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Gashi: Fjalimi i Ivanovit jokorrekt by tvshenjaofficial