Në një peizazh ndërkombëtar me ndryshime dhe trazira të ndërthurura, mangësia e sigurisë është bërë gjithnjë e më shqetësuese. Nga bashkësia ndërkombëtare nuk kanë munguar kurrë kërkesat për siguri, por ajo që është vërtet e rrallë janë qasjet efektive për të trajtuar këto kërkesa. Në një sondazh të CGTN-it me përdorues të internetit në mbarë botën, 89.6 % e pjesëmarrësve bënë thirrje që të gjitha vendet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërkombëtare nëpërmjet dialogut e konsultimeve. Forumi “Xiangshan” i Pekinit, i mbajtur për dy dekada, shërben si një përgjigje pozitive ndaj këtyre pritshmërive publike.
Bota po përjeton një evoluim të përshpejtuar të ndryshimeve të thella të papara në një shekull, teksa konfliktet gjeopolitike po vazhdojnë. Më shqetësuese sesa rritja e numrit dhe intensitetit të konflikteve është orientimi politik i disa vendeve që kërkojnë t’i zgjidhin shqetësimet e tyre të sigurisë nëpërmjet zgjerimit të blloqeve, sanksioneve të njëanshme dhe kthimit të një game të gjerë çështjesh në çështje sigurie. Sondazhi tregon se 80.8 % e të anketuarve kundërshtojnë hegjemonizmin, politikën e forcës ,kurse 74.5% besojnë se vendet nuk duhet t’u imponojnë të tjerëve vlerat e sistemet e tyre dhe që duhet shmangur përballja ideologjike.
Qeverisja e sigurisë ndërkombëtare nuk mund të mbetet çështje thjesht e një numri të vogël fuqish të mëdha. Vendet e Jugut Global preken drejtpërdrejt nga shumë konflikte dhe rreziqet e përhapjes së tyre , kështu që meritojnë një zë më përfaqësues në përcaktimin e agjendës dhe krijimin e rregullave. Duke theksuar rolet dhe vizionet e vendeve të Jugut Global, Forumi “Xiangshan” i Pekinit po nxit zhvendosjen e qeverisjes ndërkombëtare të sigurisë nga mbizotërimi i disa shteteve drejt një pjesëmarrjeje kolektive më të barabartë e përfshirëse. Në sondazh, 80.4 % e të anketuarve nga vendet e Jugut Global vunë në dukje që mendësia e Luftës së Ftohtë dhe politika e forcës kërcënojnë paqen botërore dhe përkeqësojnë sfidat e sigurisë, duke bërë thirrje që të gjitha vendet të ndërtojnë së bashku një arkitekturë sigurie të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme.
Sa më të trazuara të jenë kohët, aq më shumë duhet të ruhet hapësira për dialog; sa më të gjera të jenë dallimet, aq më shumë duhet të mbështetet qeverisja këshillimore. Çështje si qëndrueshmëria strategjike Kinë-ShBA, kriza në Ukrainë, situata në Lindjen e Mesme, siguria detare e hapësinore dhe përdorimet ushtarake të inteligjencës artificiale janë në thelb me dallime të mprehta. Dialogu kuptimplotë për sigurinë nuk është kurrë një miratim i ndërsjellë mes palëve që janë të një mendjeje, por një proces ku palët me pikëpamje të ndryshme mund të shprehin ende shqetësimet e tyre, të përcaktojnë kufijtë dhe të përmbajnë rreziqet. Dialogu nuk mund të zgjidhë automatikisht konfliktet, por mund të pakësojë keqllogaritjet dhe të parandalojë që dallimet e kufizuara të përshkallëzohen në përballje të pakontrolluar. Vlera e Forumit “Xiangshan” qëndron në ruajtjen e një rruge realiste larg përballjes totale për botën, në një mjedis ndërkombëtar me rrezik të lartë dhe besim të ulët.




