Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit A.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi i materialeve të votimit”.
Sipas vendimit të gjykatës, A.D. nuk do të mund të largohet nga vendbanimi pa lejen e gjykatës dhe i ndalohet kontakti me persona që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi me të.
Sipas njoftimit zyrtar, i pandehuri dyshohet se më 7 qershor, në cilësinë e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimet gjatë procesit zgjedhor në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sharri” në Jabllanicë të Prizrenit.
Hetimet paraprake tregojnë se ai dyshohet se ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara, pasi i ka shqyer nga blloku i fletëvotimeve, me qëllim që të pengojë zhvillimin normal të zgjedhjeve dhe shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve.
Gjykatësja e procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se një masë e tillë nuk është e nevojshme në këtë fazë të procedurës penale.
Sipas vlerësimit të gjykatës, masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurit dhe për të garantuar zhvillimin e papenguar të hetimeve.
“Nëse i pandehuri e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.



