Për shndërrimin e “Jeni Xhamisë” në Manastir në muze krishtero – islam ka reaguar me indinjatë të thellë Fondacioni Qendra e Civilizimit Islam “FOCIC” – Shkup.
Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të “Focic”:
Shprehim indinjatën tonë të thellë dhe dënojmë me vendosmëri vendimin për transformimin e Xhamisë së Re në Manastir në “Muzeun e Trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame”. Ky akt përbën një shkelje të qartë të parimeve themelore të drejtësisë dhe barazisë fetare, duke anashkaluar kushtetutën, të drejtën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Xhamia e Re, e ndërtuar në vitin 1558, ka qenë për shekuj me radhë qendër e jetës shpirtërore të myslimanëve të Manastirit, ku ka ruajtur funksionin e saj si vend adhurimi edhe në periudha të vështira, përfshirë këtu edhe kohën e regjimit komunist. Pas pavarësisë, statusi i saj si objekt adhurimi, u njoh ligjërisht përmes ligjit të denacionalizimit të vitit 1998, duke e bërë këtë vend të shenjtë, një simbol të qëndrueshmërisë fetare dhe historike.
Ky vendim jo vetëm që cënon të drejtën e myslimanëve për të praktikuar fenë e tyre, por gjithashtu krijon situata tensionuese dhe ndarjeje, mes shoqërive që kanë për synim harmoninë dhe mirëkuptimin ndërfetar.
Me këtë rast, kërkojmë që autoritetet përgjegjëse të tërheqin menjëherë këtë vendim dhe të respektojnë statusin ligjor dhe historik të Xhamisë së Re si vend adhurimi. Xhamia e Re, përveç që duhet të jetë vend adhurimi, njëkohësisht kërkojmë rikthimin e saj, në pronësi të Myftinisë së Manastirit.
Për në fund, ftojmë të gjithë aktorët relevant në vend dhe rajon, që të ndërhyjnë në këtë akt qyqar e të rrezikshëm, e cila kërcënon trashëgiminë kulturore dhe harmoninë ndërshoqërore në Maqedoninë e Veriut.
Sektori për Shërbim Informativ
Fondacioni Qendra e Civilizimit Islam (FOCIC) – Shkup