Po i afrohemi ditëve të Kurban Bajramit, njërit nga dy festat më madhore të islamit në një vit hënor. Pasi manifestimet islame nuk janë thjesht vetëm për të kremtuar, por ato janë një dëshmi për rrumbullakimin e obligimeve të caktuara me Kur’anin Famëlartë, do të themi se ditët e Kurban Bajramit janë një manifestim ku besimtari arrin pjekurinë më të lartë duke sakrifikuar edhe shpirtin e një gjallese për të dëshmuar devotshmërinë e tij ndaj Krijuesit, Allahut xh.sh. Parimisht, sakrifikimi për Allahun e Madhërishëm daton që nga koha e njeriut të parë Ademit a.s dhe në vazhdimësi është detyrë dhe obligim i çdo muslimani që i plotëson kushtet për kurban. Për të dëshmuar devotshmërinë Habili qe i obliguar të therte kurban që të dëshmohej vërtetësia dhe drejtësia në veprim konform udhëzimit të Krijuesit të Madhërishëm. Rrjedhimisht, jo vetëm për gruan e mirë që i’a ofroi Krijuesi i Pashoq Habilit e që ai e meritonte, por edhe për çdo mirësi që na e premton Allahu xh. sh. të cilën ne e përjetojmë si mirësi në këtë jetë, duhet të sakrifikojmë në vazhdimësi diçka të rëndësishme nga jeta, qeniet apo pasuria. Therja e kurbanit, për të falënderuar pafundësinë në bamirësi të Allahut Fuqiplotë, vuloset në mënyrë emfatike dhe të pakontestueshme me vetë jetën e Ibrahimit a.s. Miku i Zotit Ibrahimi a.s për dhuratën fëmijë i premtoi Krijuesit të vetëm flijimin e gjësë më të rëndësishme, pra atë të fëmijës që Ai ia kishte falur. Është shumë kuptimplote, e arsyeshme, humane dhe logjike, pse Krijuesi nuk lejoi që Ibrahimi a.s të flijonte djalin e tij Ismailin a.s.. Këshilla mbeti një lex generalis për njerëzimin, duke u bartur dhe vulosur përfundimisht në Kur’anin Fisnik, ku qartësisht krijesa njerëzore në shenjë falënderimi për mirësinë e Krijuesit dhe të mirave të Tij duhet të flijojë ose të ther kurban një gjallesë tjetër (kafshë të imët apo të madhe). Flijimi për Allahun nga besimtarët duhet të jetë i përditshëm dhe përvjetshëm. Të përditshme llogariten ibadetet si namazi, lutja meditimi për Krijuesin, sadakaja, ndihma, vizita e të afërmve, fjala e mirë dhe çdo gjë që bëhet për hir të Zotit. Të përvjetshme janë zekati, haxhi dhe kurbani. Sakrifica e fundit, kurbani, është i një dimensioni të përgjithshëm ibadetor që zbatohet në të gjitha trojet ku jetojnë dhe veprojnë muslimanët. Ky ibadet (lutësi) ndaj Allahut në kohën e sodit përveç dimensionit tradicional të therjes dhe ndarjes së mishit për të afërmit, skamnorët dhe farefisin, realizohet edhe përmes një dimensioni mjaft përmbajtjesorë të arsyeshëm dhe që verifikon rezultate të mëdha në avancimin e islamit si fe e vetme e preferuar dhe e shpallur nga Allahu Fuqiplotë. Pasi në kohën më të re përballemi me organizimin institucional të islamit, gjegjësisht me arsimimin e të rinjve me dituri dhe edukatë islame, respektivisht me hapjen e institucioneve edukative arsimore të BFI-së Medresesë Isa beu, imponohet nevoja që ky mision i shenjtë në Republikën e Maqedonisë i prirë nga BFI, të përkrahet edhe me dhurimin dhe therjen e kurbanit për këtë qëllim. Medreseja Isa beu në Kondovë që nga viti 1984 e shkëlqeu islamin me nxjerrjen e gjeneratave dhe gjeneratave që përhapin islamin e vërtet të bazuar ekskluzivisht në Kur’anin Fisnik dhe në praktikumin e njeriut më të dashur të Zotit, Muhamedit s.a.v.s. Praktikumi i dhurimit dhe therjes së kurbanit në mënyrë të organizuar përmes organeve të BFI-s arrin disa qëllime tepër të rëndësishme për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e islamit në kushtet tona.
E para, therja e kurbanit për të dhuruar mishin e kafshëve nëpër familjarë dhe skamnor në mënyrë individuale është një ngarkesë për familjarët në aspektin e kohës së lirë dhe kushteve higjienike në kohën e sodit, sidomos gjatë festës së Bajramit ku çdo shtëpi ose banesë kolektive nuk ka mundësi hapësinore për një gjë të këtillë, dhe kësisoj vështirëson ndejën dhe rahatinë e tjetrit, gjë që në mjedise islame nuk guxon të ndodhë.
E dyta, jemi dëshmitar se nevoja për mish kurbani sidomos të deleve është e palakmueshme për shumë njerëz, ku ata e marrin mishin e deles dhe nuk e përdorin.
E treta, therja e kurbanit në mënyrë të organizuar ngjanë me therjen e kurbanit në vetë Qaben e Shenjt ku në vende të caktuara theren me qindra kafshë për hir të Zotit.
E katërta, BFI ka bazën më të mirë të të dhënave se cilat janë skamnorët e vërtet të cilët kanë nevojë për mish kurbani dhe atyre u dorëzohet në mënyrë të organizuar në shtëpitë e tyre.
E pesta, dhurimi kurbanit për mirëmbajtjen e institucioneve edukativo arsimore sidomos Medresesë Isa beu në Maqedoni duke përfshirë edhe degët e saja të shtrira, është qëllimi më madhështorë, sepse përkrahë nxënësit të cilit janë margaritarët e përhapjes dhe ruajtjes së islamit institucional.
Sot, kur dihet se shteti nuk e ndihmon shkollimin fetar islam mbetet që muslimanët përmes detyrimeve të tyre fetare të përmbushin edhe obligimin për të ndihmuar arsimimin islam të gjeneratave. Detyrimi që i kanë bërë vetes muslimanët e Maqedonisë për ta ndihmuar shkollimin e të rinjve në Medresenë Isa Beu në Kondovë dhe në degët e tjera në mbarë vendin duhet të jetë parësorë edhe sivjet. Duke e dhuruar kurbanin në Medrese ata përmbushin obligimin themeltarë islam me të cilin janë porositur me Kuranin Famëlartë. I Madhërishmi jo rastësisht mëshirën e plotë për njerëzimin e nisi me fjalë ,,Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë) Suretu EL ALAK 1). Kështu duke dhuruar kurbanin në Medresenë Isa beu muslimani jo vetëm që arrin plotësimin e obligimit të kurbanit në vendin më të duhur, por me këtë veprim ai mban gjallë burimin e frymëzimit për jetëgjatësinë e islamit në këto troje. Nëse jemi për prodhimin e kuadrove të shëndosha nevojitet arsimimi i shëndoshë i brezit të ri.
Përmes dhurimit të kurbanit në medrese arrijmë dy qëllime madhore.
E para, kemi flijuar për Krijuesin për shkëlqimin e fjalës së Tij të parë në Kur’anin Fisnik.
Dhe e dyta, kemi ndihmuar konkretisht përhapjen dhe zhvillimin e islami përmes kuadrit të profesionalizuar dhe të denjë për t’u mbrojtur nga deformimet keqëdashëse, për të cilat jemi dëshmitarë vetë ne se kanosin islamin e vërtetë. Prandaj edhe këtë vit bëjmë apel që kurbani në masë të madhe të drejtohet për nevojat e Medresesë Isa beu dhe të konvikteve të saja në Maqedoni që sivjet numëron më tepër se 900 nxënës dhe nxënëse me shpresë se keni arritur që kurbanin tuaj ta flijoni për qëllime madhore të Islamit.
Ata të cilët do të flijojnë kurbanin për nevojat e Medresesë Isa beu, Zoti ua bëftë kabull flijimin e tyre, Zoti i shpërbleftë me të mira, dhe le ta dinë se janë përkrahës të fjalës së Allahut dhe se janë të bekuar të Vetë Ai. Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.
H. Ibrahim ef. Idrizi
Drejtor gjeneral i Medresesë ISA BEU