29 Janar
Kryeministri i vendit Zoran Zaev shpreson në arritjen e konsensusit nacional për zgjidhjen e kontestit me emrin. Në një prononcim për mediat Zaev u bëri thirrje të gjithë aktorëve në vend që të tregojnë mençuri për gjetjen e një zgjidhje që do të ruante dinjitetin e vendit dhe popullit. Zaev shtoi se partia e tij është për mbajtjen e referendumit, pas gjetjes së zgjidhjes.
Unë besoj se mund të gjejmë konsensus nacional në shërbim të zgjidhjes së këtij problemi dhe jo në shërbim të bllokimit të saj apo shtyrje. Tani është momenti i vërtetë që të zgjidhet kjo çështje. Vendimet janë të politikanëve gjithsesi se Qeveria e ka përgjegjësinë më të madhe, unë jam i bindur se edhe kreu i shtetit edhe opozita dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë do të tregohen të mençur që të gjejmë zgjidhje e cila do të ruajë dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Duhet të bëjmë kujdes edhe nga ana e Greqisë, sepse mundet që zgjidhja të jetë e pranueshme për ne, por jo për Greqinë apo anasjelltas – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër i vendit.
Nga ana tjetër kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski pas një takimi me eurokomesarin Johanes Han në Bruksel, ka thënë se VMRO-ja mbetet “për” një zgjidhje që nuk do të shkelë interesat nacionale të vendit.
VMRO DPMNE-ja mbetet në mbrojtje të interesave nacionale dhe shtetërore. Me keqardhje mund të konstatojmë atë se çfarë po flitet ditëve të fundit nëpër media se për zgjidhjen e këtij kontesti shumëvjeçar mes vendit tonë dhe Greqisë fqinje ende, në shoqëri por dhe në mes konkurrentëve politik ne Greqinë fqinje, nuk ekziston konsensus. Apeloj që sa më shpejtë të gjendet një konsensus dhe t’i vijë fundit zgjidhjes së kësaj çështjeje që ka Maqedonia me Greqinë – tha Hristijan Mickovski, Lider i VMRO-DPMNE-së .
Zëvendës kryeministri për çështje Evropiane Bujar Osmani u shpreh optimist për një zgjidhje, por për dallim nga partneri i koalicionit qeveritar ai thotë se BDI është kundër mbajtjes së referendumit.
Është e qartë se edhe për datën e bisedimeve me BE-në dhe NATO-n është e nevojshme zgjidhja e kontestit me emrin. Unë jam optimist dhe nuk shoh alternativë tjetër në pjesën e ftesës për NATO po ashtu edhe sa i përket caktimit të datës për fillimin e negociatave. Kështu që jemi të vetdijshëm për rëndësinë e momentit dhe prandaj jemi të vendosur, jo me çdo kusht por që ta mbyllim çështjen duke ruajtur edhe dinjitetin edhe të njërës edhe të tjetrit shtet. BDI-ja është që të mos ketë referendum në Maqedoni për çështjen emrit, sepse kjo do të nxiste mbajtje të referendumit edhe në Greqi, gjë e cila do të zvarriste zgjidhjen e problemit me çështjen e emrit – u shpreh Bujar Osmani, Zëvendës kryeministër për çështje Evropiane.
Nga ana tjetër opozita shqiptare ka kritikuar mospërfshirjen e tyre në negociatata për emrin, duke kërkuar që edhe ata të jenë pjesë e procesit.
Hipotetikisht po pyes, nëse do të duhet që çështja e emrit të vihet në referendum a do t’i duhen kryeministrit 50.000 votat e Aleancës, rreth 50.000 votat e Lëvizjes Besa dhe a i duhet kësaj çështje vota e çdo qytetari. Prandaj them që është shumë e rëndësishme që në këtë proces negociatash të marrë pjesë edhe opozita, e dënojmë përjashtimin që i bëhet opozitës shqiptare, nga ana tjetër ne si Aleancë nuk e kemi ndërmend ta bllokojmë një çështje të rëndësishme siç është integrimi në NATO, por fjalën tonë do ta themi – deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i Aleanca për Shqiptarët.
Të shtunën, kryeministri Zaev, Presidenti Ivanov, kreu i VMRO-së Mickovski dhe ai i BDI-së Ahmeti, realizuan takimin e parë për çështjen e negociatave rreth emrit.
Vjollca Aliti

