Sot bëhen 27 vjet nga vrasja dhe masakrimi i 13 qytetarëve të pafajshëm në fshatin Stagovë të Kaçanikut.
Më 21 maj të vitit 1999 u vranë mizorisht 13 qytetarë të Kosovës nga forcat terroriste të regjimit të Millosheviqit, duke mos e kursyer as fëmijën 7-vjeçar, Fitim Gudaqi.
Po ashtu, në këtë ditë ranë martirë: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi dhe Brahim Dashi. Në mbrojtje të civilëve ra dëshmori Ekrem Gudaqi.
Masakra e Stagovës është në mesin e 15 masakrave më të tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë dhe për të cilën ish-liderët e regjimit kriminal të Serbisë, në krye me kriminelin Sllobodan Millosheviq, u akuzuan nga Gjykata për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, por askush nuk u dënua për këtë krim makabër.
Për Masakrën e Stagovës, ekipi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në autopsinë e 10 trupave të vrarë, ka konstatuar vrasjet e tyre dhe se ky rast u hetua në kuadër të hetimeve për krime lufte në Kosovë, të kryera nga njësitë ushtarako-policore të Serbisë.
21 maji i vitit 1999, përveç dhimbjes që solli për banorët e Stagovës, do të mbahet mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.
Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat më 20 maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre.
Këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serb të Millosheviqit, që synonte jo vetëm zhdukjen fizike, por edhe atë materiale të qenies shqiptare, çka përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Me rastin e 27-vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve, këshillat organizues të fshatrave Runjevë dhe Stagovë, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe me përkrahjen e Komunës së Kaçanikut, organizojnë manifestime përkujtimore.
Manifestimi mbahet në Stagovë, në Shkollën Fillore “Agim Bajrami”, me fillim nga ora 14:00.
Pas përmbylljes së manifestimeve do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.


