Thirrje për tubim dhe mbështetje madhështore të politikave të Aleksandar Vuçiqit janë dërguar përmes rrjeteve sociale dhe atë në Qendër të Kumanovës. Të shtunën më datë 23, para konsullatës së Serbisë në Kumanovë do të mblidhen simpatizantë të Vuçiqit. Nga Komuna e Kumanovës për Alsat thanë se organizatorët nuk kanë dërguar kërkesë për shfrytëzim të hapësirave publike në Kumanovë për një ngjarje të tillë. Thonë se është ftuar edhe kryetari i komunës Maksim Dimitrievski por i njëjti nuk do të marrë pjesë.
“Kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski është njoftuar dhe është ftuar nga ana e organizatorëve, por për shkak aktiviteteve të dakorduara paraprakisht, nuk do të jetë në Kumanovë dhe nuk do të marrë pjesë në ngjarje. Komuna e Kumanovës nuk merr pjesë në organizimin e kësaj ngjarjeje, por edhe në asnjë ngjarje tjetër politike që deri tani është organizuar në Kumanovë”, u përgjigjën për Alsat nga Komuna e Kumanovës.
Ky tubim ka shkaktuar reagime në opinion dhe te partitë politike, veçanërisht ato opozitare. BDI dega e Kumanovës ka akuzuar VLEN-in e LSDM-ja ka akuzuar VMRO-në se janë ata të cilët po e sjellin botën serbe në Maqedoni.
“Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Adnan Azizi dhe Bekim Sali po e sjellin Serbinë me të dyja këmbët në Maqedoninë e Veriut, më saktë në Kumanovë”, reaguan nga BDI dega e Kumanovës.
“Kjo është ajo që Parlamenti Evropian e quan “bota serbe”, ndikim i drejtpërdrejtë dhe përzierje e Serbisë në Maqedoni. Zv.kryeministri Ivan Stoillkoviq, bashkëpunëtori më i afërt i Mickoskit merr pjesë në këtë organizim në marrëveshje me Millosh Vuçeviq prej para disa ditëve. Kjo nuk është rastësi. Është pjesë e rrjetit: Orban – Vuçiq – Mickoski. VMRO nuk punon për Maqedoninë, punon për qendra të huaja të fuqishme”, u shprehën nga LSDM.
Por nga pushteti përgjigjen se assesi nuk mbështesin përzierje të politikave të huaja në vendin tonë. Kryeministri Mickoski u shpreh se si qeveri nuk do të përzihen në organizim pasi nuk kanë të bëjnë me politika të shteteve të tjera.
“Absolutisht nuk mbështes çfarëdo përzierje të jashtme në politikat e brendshme të Maqedonisë ashtu siç kjo ishte rast para disa ditëve por gjithashtu ne si qeveri absolutisht nuk kemi për qëllim as të mbrojmë as të përzihemi në politikat e brendshme dhe të pavarura të ndonjë shteti”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Nga VLEN thonë se tubim i tillë nuk është hera e parë që po mbahet duke shtuar se këto tema i ngjajnë atyre që e sollën “Ballkanin e Hapur”.
“Kjo pyetje u ngjan atyre që e sollën “Ballkanin e Hapur”, një projekt që solli dhjetëra marrëveshje të ratifikuara e që janë në qarkullim juridik”, shtojnë nga VLEN.
VLEN shton se Maqedonia e Veriut është me orientim të qartë evropian dhe mbetet fuqishëm në mbrojtje të këtij drejtimi./Alsat.mk


