Një 49 vjeçar është arrestuar pasi ka kundërshtuar me forcë një efektiv në detyrë, i cili ishte i pranishëm për të qetësuar gjendjen mes dy shtetasve.
Në pranga ka rënë shtetasi Elidon Kotorri, 49 vjeç, i cili ka dhe precedent të mëparshëm penal, ashtu sikurse ka qenë subjekt i OFL-së.
Raportohet se Kotorri është arrestuar mbrëmjen e së shtunës, kur 49 vjeçari po konfliktohej me një person tjetër.
Efektivët kanë ndërhyrë për të mos lejuar agravimin e situatës, mirëpo Kotorri ka kundërshtuar me forcë një efektiv, me tendencë për të mos iu bindur urdhrit të punonjësit të policisë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Elidon Kotorri, 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka kundërshtuar me forcë një punonjës Policie gjatë ushtrimit të detyrës”, njoftoi policia.
Elidon Kotorri dhe e shkuara e tij e errët
Elidon Kotorri është një personazh i njohur për blutë dhe drejtësinë, pasi ka qenë i dënuar me 25 vite heqje lirie për vrasjen e 3 personave dhe plagosjen e një shtetasi.
49 vjeçari ka kryer vrasjen e trefishtë të shtetasve Andi Hasanit, Sokol Alushit dhe Gazmend Zenelit, ashtu sikurse ka plagosur një person tjetër.
Krimi i trefishtë ndodhi në fund të viteve ‘90, me motiv hakmarrjen, pasi viktimat kishin vrarë shokun e Kotorrit, Elton Zajmi, në vitin 1998.
Në vitin 2023, Kotorri ka qenë nën hetim nga Policia e Tiranës, pasi ka vënë kamera sigurie në kundërshtim të ligjit. Ky operacion policor u shtri asokohe në disa qytete kryesore të vendit.
Sakaq, bëhet me dije se 49 vjeçari ka qenë subjekt i OFL-së, pasi i është dërguar formulari për deklarimin e pasurisë.