Në fund të muajit tetor, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të nisë Java e Filmit Shqiptar në Nju-Jork. Moderatorja Kozeta Turishta është e përzgjedhura, së bashku me partnerin e saj, Lulëzim Bucolli, për të prezantuar këtë event që konsiderohet i rëndësishëm sa i përket promovimit të vlerave kulturore dhe kinematografike. Në këtë intervistë për “Shekullin”, Kozeta tregon lidhur me këtë eksperiencë për të cilën po përgatitet, duke kujtuar herën e parë kur ka qenë prezantuese e një festivali. Tashmë, jeta e saj është midis Tiranës dhe Nju-Jorkut, ku siç pohon edhe ajo vetë, jeta amerikane e ka “rrëmbyer”. A ka një dashuri në këto momente në jetën e moderatores? Këtë e zbuloni mes rreshtash, nga rrëfimi i vetë Kozeta Turishtës.
Nga kush ju erdhi propozimi për të drejtuar festivalin?
Propozimi për të drejtuar një nga eventet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç është Java e Filmit Shqiptar në Nju-Jork, erdhi nga themeluesja, ideatorja dhe regjisorja e njohur kosovare Mrika Krasniqi, e cila është edhe motori i këtij eventi që ka krijuar vetëm një emër: Sukses. Ky event që nis më 30 tetor deri më 5 nëntor do të drejtohet nga unë dhe, një djalë i talentuar, aktor e me shumë humor që mua do më fali shumë komoditet natyra e tij gjatë netëve të prezantimit. Jam e lumtur që jam pjesë e këtij projekti, ku pas tij është një skuadër kolegësh profesionistë që punojnë çdo ditë me përkushtim. Kënaqësia është vërtet e madhe, më besoni.
Është hera e parë që drejtoni një festival të tillë?
Rrugëtimi im drejt televizionit nisi kur isha 18 vjeçe. E kujtoj mjaft mirë shtatorin e 2004-ës, ku dhashë edicionin e parë të lajmeve në “Tv Rozafa”, një media lokale në qytetin tim të Shkodrës, që frekuenca e tij shtrihej deri në Malin e Zi. Aktivitetet kanë qenë të shumta për mua, përveç lajmeve që mbesin e vetmja dashuri që asgjë nuk do i zëvendësoj, apo eventet ku prezantoja në teatrin “Migjeni” përballë publikut shkodran që të fal aq shumë dashuri. Sot, ndodhem në vendin ku kam ëndërruar gjithmonë të jem, në tokën e bekuar, e rrethuar me njerëz të mirë e të dashur të jetës sime. Gjithsecili aktivitet ka rëndësi tek unë, secili ka lënë një gjurmë që sa herë i kujtoj ndiej shumë kënaqësi. Për sa i përket Javës së Filmit Shqiptar është privilegj të jesh pjesë e një eventi të tillë dhe në krah të Mrika Krasniqit që ka një potencial menaxhimi në grupin e punës, idetë e saj, harmonia që na krijon gjatë punës janë modeli më i mirë. Java e Filmit Shqiptar përfaqësohet nga njerëz që në profilet e tyre profesionale kanë një emër dhe histori suksesi nga pas, personazhe të njohur për të gjithë.
Pse u larguat nga “Pasdite në Top Channel”?
Pse u largova nga pasditja… Siç jemi larguar të gjithë besoj, nga një punë që nuk është e përjetshme. Çdo gjë ndodh për një arsye dhe largimi im ndodhi pikërisht për shumë arsye më të mëdha, të lija diçka, që të isha diku tjetër më shumë. Fati ndonjëherë të rezervon shumë sfida, në mos në jetën e përditshme, në profesion mbetet e pashmangshme. “Pasditja” mbetet kujtim i bukur mes njerëzve të mirë, shumë dashamirës e të dashur.
A ndjeheni e plotësuar në profesionin tuaj?
Njeriu gjithmonë kërkon nga vetja dhe nuk ngopet kurrë, por Zoti më ka dhënë mjaftueshëm për tu ndier mjaft e plotësuar. Kam çdo gjë që më bën të zgjohem e motivuar çdo mëngjes.
Cila është dëshira juaj më e madhe?
Sa dëshira kam unë. (Buzëqesh) Por shumë prej tyre i kam të realizuara. Dëshira më e madhe mbetet që Zoti të më japë vetëm shëndetin. Kjo është gjëja më e rëndësishme e njeriut, të tjerat shkojnë e vinë.
Aktualisht me çfarë po merreni?
Aktualisht jam pjesë e disa projekteve që shumë shpejt do të prezantohen dhe për publikun shqiptar atje. Po bashkëpunoj me njerëz që kam çfarë marr e mësoj prej tyre.
Keni ndonjë projekt televiziv në planet e afërta?
Kam në mendjen time disa projekte për televizionin, por uroj të mbaroj shpejt masterin e të kthehem në Shqipërinë time, në më të bukurin vend të botës. Në Shkodrën dhe Tiranën time. Më mungon Shqipëria, por dita-ditës dhe Nju-Jorku po ma rrëmben zemrën. (Buzëqesh)
Çfarë tjetër të mban në Nju-Jork, përveç atyre që përmendëm më lart? Mos ndoshta dashuria?
Ah, kjo dashuria sa e bukur është. Ndjenja më e fortë që të tërheq e të mbërthen si oktapod pas vetes, edhe kaq milje larg. E ëmbla dashuri që ngroh edhe të ftohtin njujorkez.
Java e Filmit Shqiptar
Më 30 tetor nis Java e Filmit Shqiptar në Nju Jork. Java e Filmit Shqiptar është një ndër eventet më të mëdha të promovimit të vlerave kulturore dhe kinematografike që zhvillohet në Nju Jork. Këtë vit, në edicionin e tij të katërt, do të prezantojë prodhimet më të fundit të kinemasë, si edhe prodhimet e shumë artistëve shqiptarë që jetojnë e veprojnë jashtë trojeve të tyre. Gjithashtu do të ketë aktivitete e debate përcjellëse që do të shoqërohen përgjatë festivalit, në mënyrë që të promovohet kultura e kombit tonë duke qenë gjithmonë në shërbim të paqes e tolerancës. Filmat kryesorë janë: “Tri dritare dhe një varje” nga Isa Qosja, “Bota” nga Iris Elezi dhe Thomas Logoreci dhe “Amsterdsm Express” nga Fatmir Koçi.