Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të bizneseve që operojnë në zonën industriale të Vizbegut, ku në fokus ka qenë projekti për ndërtimin e rrugës magjistrale transitore “Hasan Prishtina”.
Mexhiti bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e kësaj rruge dhe ndikimin që pritet të ketë në përmirësimin e qarkullimit, infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik të zonës.
“Gjatë ditës, bashkë me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ishim në Vizbeg, ku u takuam dhe biseduam me përfaqësuesit e bizneseve që veprojnë në këtë zonë”, njoftoi Mexhiti.
Sipas tij, rruga “Hasan Prishtina” është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për këtë pjesë të Shkupit. Projekti parasheh ndërtimin e një rruge me gjatësi prej rreth 3.5 kilometrash dhe katër korsi.
“Rruga e re, me gjatësi prej afro 3.5 kilometrash dhe katër korsi, do t’i sjellë Vizbegut infrastrukturë moderne, do të lehtësojë qarkullimin dhe do të krijojë kushte shumë më të mira për funksionimin dhe zhvillimin e bizneseve në këtë zonë”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se realizimi i projektit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për bizneset që operojnë në Vizbeg, duke lehtësuar qasjen dhe qarkullimin në një nga zonat e rëndësishme ekonomike të Shkupit.
Përveç ndikimit lokal, sipas Mexhitit, rruga do të ketë rëndësi edhe për lidhjen e Shkupit me pikën kufitare Bllacë dhe Kosovën.
“Njëkohësisht, Shkupi do të ketë një lidhje më të shpejtë dhe më të mirë drejt Bllacës dhe Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Çairit.
Realizimi i rrugës “Hasan Prishtina” synon kështu të përmirësojë infrastrukturën rrugore në Vizbeg, të lehtësojë qarkullimin dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të kësaj zone.
The post Mexhiti dhe Gjorgjievski takojnë përfaqësues të bizneseve në Vizbeg, diskutohet rruga “Hasan Prishtina” appeared first on TV-SHENJA.



