Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nisur procedurë ndaj një personi për veprën penale – Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, sipas nenit 288, paragrafi 1 i Kodit Penal.
I dyshuari, më 2 maj, në orët e mëngjesit, në një shtëpi vikendi në fshatin Katllanovë dhe në një banesë në Shkup, që janë në pronësi të bashkëshortes së tij me të cilën ishte i ndarë dhe kishte proces divorci, ka shkaktuar zjarr duke krijuar rrezik serioz për jetën e njerëzve.
Edhe pse ishte i vetëdijshëm se veprimet e tij mund të shkaktonin pasoja të rënda, ai u pajtua me këtë pasojë dhe, pasi një ditë më parë kishte kërcënuar përmes telefonit gruan dhe djalin e tij, në ditën kritike derdhi benzinë dhe i vuri flakën hyrjes së shtëpisë së vikendit. Zjarri u përhap brenda objektit, pas së cilës ai shkoi në Shkup dhe veproi njësoj edhe te banesa.
Pasi kreu veprat, i telefonoi viktimës dhe i tha se i kishte djegur të dy objektet. Ajo njoftoi fqinjët në ndërtesë, të cilët reaguan menjëherë dhe shuan zjarrin duke parandaluar përhapjen e tij në banesat e tjera.
Duke vlerësuar se rrethanat nën të cilat është kryer kjo vepër penale tregojnë llogaritje të qëllimshme dhe nivel të lartë të përgjegjësisë penale, si dhe se ekziston rrezik real për arratisje, prokurori publik ka dorëzuar propozim te gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Penale Themelore Shkup për caktimin e masës së paraburgimit.