I ftuar në studion e News24, nënkryetari i PD Agron Gjekmarkaj dha komentin e tij mbi emërimet e një dite më parë për drejtuesit politikë të PD nëpër qarqe.
I pyetur në vazhdim sesi do t’i menaxhojnë protestat dhe takimet me qytetarët njëkohësisht, duke marrë parasysh që jemi në një vit zgjedhor, deputeti i PD tha se “qytetarët do të jenë aleatë të aspiratave të tyre duke u bashkuar në kauza me opozitën”.
“Qytetarët prej 12 vitesh jetojnë në një shtet ku ju vidhen zgjedhjet, krimi i organizuar menaxhon flukset e votave dhe këta qytetarë nuk janë të gëzuar me një klimë patronazhimi. Qytetarët do të jenë aleatë të aspiratave të tyre duke u bashkuar në kauza me opozitën. Opozita është ajo pjesa e shprehjes tjetër të Shqipërisë, që mendon ndryshe, e asaj Shqipërie që është e bindur se koha për të thënë mjaft po skadon. Ne do bëjmë gjithçka, do mobilizohem. PD ka mbështetje kudo. Të gjithë këta njerëz që ndihen të keqtrajtuar, ndihen të vjedhur në buxhet, që shohin sesi një kryeministër për të qenë i tillë sillet si mbret dhe jo si kryeministri i një republike parlamentare ata kanë të drejtën të reagojnë”, tha Agron Gjekmarkaj.
Mbështetja për PD- tha ai- është treguar gjatë gjithë kësaj kohe, kur kjo forcë politike ka qenë në vështirësi, madje ka marrë edhe 600 mijë vota.
“PD ka kaluar një periudhë të vështirë dhe ajo duke qenë në agresion juridik dhe në agresion policor, shtetëror, me simbole të mbajtur peng për një kohë të gjatë, grumbulloi mbi 600 mijë vota”, u shpreh deputeti i PD.
Sa i takon Sali Berishës, Agron Gjekmarkaj tha se ai është i padiskutueshën në drejtimin e PD, ndersa theksoi se po mbahet i izoluar pa prova, me qëllim për t’i shërbyer pushtetit, pasi po afrojnë edhe zgjedhjet.
Pyetje: A mundet Berisha të jetë kandidat për kryeministër kur ndërkombëtarët e kanë izoluar PD dhe kryetarin tuaj?
Agron Gjekmarkaj: Shqipëria ka shpallur pavarësinë, është një shtet sovran, por nuk duhet të jetë arrogante, duhet të jetë dorë shtrirë me aleatët, duhet të ketë dhe do të këtë marrëdhënie të shkëlqyera me BE dhe SHBA.
Berisha në periudhën 2005-2013 ka qenë kryeministri që ka pasur arritjet më të mëdha të Shqipëruese moderne. Një kryeministër që ka qenë i suksesshëm nuk ka arsye mos të jetë prapë i tillë.
Pyetje: Sa e dëmton Berishën lufta ndaj SPAK?
Agron Gjekmarkaj: SPAK është një institucion dhe jo një tempull as i krishterë as islamik, është institucion që mund të ketë bërë gjerat e vetë të mira, por edhe gabime. Në rastin e Berishës është një shkelje e hapur jo thjesht e të drejtave të njeriut, por edhe të kushtetutës. Ka një zgjatje të hetimeve, pa nxjerrë një fakt. Duke ditur që Berisha është lider i PD, jemi në vit zgjedhor ata e mbajnë të mbyllur për ti shërbyer pushtetit.



