Shqipëria dhe rruga e saj drejt Bashkimit Europian ishte një nga çështjet për të cilat u pyet në konferencën tradicionale për shtyp kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në kuadër të Panairit të 90-të Ndërkombëtar të Selanikut.
I pyetur për marrëdhëniet me Tiranën dhe problemet që lidhen me pronat dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, Mitsotakis tha se Athina mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, por se çdo vend do të gjykohet veçmas për progresin e tij.
Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë u shpreh “Progresi që është bërë në regjistrimin e pronave dhe në mbrojtjen e të gjitha të drejtave nuk është i mjaftueshëm. Të jeni të sigurt se, në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona për t’u siguruar që të drejtat e minoritetit mbrohen plotësisht.”
Kryeministri grek theksoi se çështja nuk është vetëm dypalëshe, por lidhet edhe me respektimin e së drejtës europiane. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave kërkon edhe miratimin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ka thënë ai.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, kreu i qeverisë greke ishte edhe më i prerë, duke theksuar se nuk ka, në thelb, asnjë progres në negociatat europiane. Prandaj jemi në një fazë shumë më të hershme krahasuar me Shqipërinë, ka përfunduar ai.
Konferenca e shtypit erdhi një ditë pasi Mitsotakis shpalli nga Selaniku një paketë të gjerë masash ekonomike me rritje pagash dhe pensionesh, ulje taksash dhe ndihma për familjet, fermerët dhe bizneset, të cilat do t’i zbatojë nëse fiton edhe një mandat të tretë në pranverën e vitit 2027, kur janë parashikuar zgjedhjet parlamentare.
Partitë opozitare dhe disa media kritike ndaj qeverisë e pritën me skepticizëm fjalimin me masat ekonomike, ndërsa mijëra qytetarë, sindikata, fermerë dhe organizata protestuan në qendër të Selanikut të shtunën në mbrëmje kundër kostos së lartë të jetesës dhe politikave të qeverisë./VOXNEWS
The post Greqia “kërcënon” futjen e Shqipërisë në BE appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


