Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, priti sot në Komunën e Çairit një delegacion arbëresh nga Vakarici, të kryesuar nga kryetari Antonio Pomillo, në kuadër të vizitës së tyre të parë në Maqedoninë e Veriut.
Në takim u diskutua për lidhjet historike, gjuhësore dhe kulturore me arbëreshët, si dhe për mundësitë që këto lidhje të avancohen përmes bashkëpunimit institucional. Në këtë drejtim, u shqyrtua mundësia e binjakëzimit të Çairit me Vakaricin, si dhe organizimi i aktiviteteve dhe iniciativave të përbashkëta kulturore mes dy komunave.
“Me arbëreshët na lidh një histori e gjatë, gjuha dhe një trashëgimi që ata e kanë ruajtur ndër breza. Sot duam që këtyre lidhjeve t’u japim edhe një dimension të ri përmes bashkëpunimit mes komunave tona. Besoj se kjo vizitë është një fillim i mirë drejt binjakëzimit dhe një bashkëpunimi që do të vazhdojë me iniciativa e projekte konkrete mes Çairit dhe Vakaricit,” deklaroi Mexhiti.
Pjesë e bisedimeve ishin edhe tema me rëndësi për shqiptarët në Shkup, përfshirë emërtimet shqip të rrugëve në Çair dhe Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, si një prej projekteve më të rëndësishme për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në vend.






