Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, ka deklaruar se klientët e Alta Bankës në Manastir mund të tërheqin deri në 10.000 denarë në javë, për shkak të situatës së jashtëzakonshme me të cilën po përballet banka.
Sipas tij, gjatë muajit nëntor qytetarët do të mund të tërheqin gjithsej deri në 50.000 denarë. Ky kufizim vlen për të gjithë klientët, edhe për ata që kanë tërhequr para më herët gjatë muajit.
Slaveski u bëri thirrje qytetarëve të kenë besim te institucionet, duke theksuar se kursimet e tyre janë të sigurta dhe se kufizimi është i përkohshëm, deri në tejkalimin e situatës.
Ai theksoi se qytetarët duhet të tregojnë durim gjatë kësaj periudhe, ndërsa institucionet po ndjekin zhvillimet për tejkalimin e vështirësive me të cilat po përballet banka.



