29 Janar
Leximi i tretë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, edhe pse ishte pikë e rëndit të ditës, u shty për në kohë të pacaktuar deri në procedimin dhe përkthimin e 35 mijë amendamenteve të parashtruara nga VMRO-DPMNE-ja. Fillimisht, pas takimit të koordinatorëve të grupeve parlamentare me kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, u vendos që nga pika e parë e rendit të ditës, ligji për gjuhët të kalojë në pikën e tetë. Më pas, në mungesë të kushteve procedurale, leximi i tretë i ligjit për përdorimin e gjuhëve u shtye për kohë të pacaktuar. Tentimet për zgjedhjen e 5 nënkryetarëve të Kuvendit i irrituan deputetët e VMRO-DPMNE-së duke druajtur se në këtë mënyrë Parlamenti do të punonte 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, për të shqyrtuar sa më parë amendamentet e dorëzuara për propozim-ligjin për gjuhët.
Tezat se Kuvendi është para bllokimit janë të pasakta. Përkundrazi, rolin që e ka kolegu i nderuar Xhaferi i jep mundësinë ta ndryshojë dinamikën e punës së Kuvendit, i jep mundësinë që të caktojë disa seanca të ndryshme dhe i jep mundësinë që në çdo moment, kur do të ketë nevojë Kuvendi të sjellë ligje reformuese si prioritet, ta bëjë atë. Të nderuar përfaqësues të mediave, sapo morëm informacionin se shumica parlamentare sot ka për qëllim që të vendosë si pikë në rendin e ditës “zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit” dhe këtë e bën veçanërisht që të ketë kush në orët e vona pas orës 7, pas 9 pas 12, ta zëvendësojë Talat Xhaferin – tha Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Xhaferi i hodhi poshtë këto pretendime. Ai tha se është i gatshëm që personalisht të jetë prezent gjatë gjithë kohës për aq sa do të zgjas debati mes deputetëve.
Sa u takon pretendimeve se sot vendoset në rend dite pika për nënkryetarët e Kuvendit që të mund të më zëvendësojnë mua gjatë punës, hipotetikisht të themi, gjatë debatit për ligjin për përdorimin e gjuhëve, mendoj se nëntë muaj kanë qenë të mjaftueshëm që të kuptoni të gjithë se asgjë nuk ka ndryshuar nga detyrimi im për të qenë këtu në çdo kohë për aq sa ka zgjatur debati, siç ju keni kërkuar, edhe pse nuk kemi mundur të zgjedhim nënkryetarë. Unë ju them se si kryetar i Kuvendit, jam i gatshëm që për aq kohë sa të kërkojnë deputetët të ketë debat, të zhvillohet debat – deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Nga Kuvendi nuk ka informatë zyrtare se si do të menaxhohet debati për ligjin e gjuhëve. Para ligjit për gjuhët, rekordin e deritanishëm të më shumë amendamenteve në Kuvend e mbante BDI-ja për ligjin e branitellave. Në leximin e parë integristët kishin parashtruar 15 mijë e 451 amendamente dhe fjalën kryesore atë kohe e kishte kryeparlamentari i tanishëm Talat Xhaferi.
Besian Leka

