20 Nëntor 2018 / 15:15
Hungaria ka miratuar kërkesën e Nikolla Gruevskit për azil. Siç transmetojnë jozyrtarisht mediat hungareze, Zyra për Emigracion dhe Azil tashmë e ka marrë vendimin pozitiv, edhe pse zyrtarisht nuk janë konfirmuar akoma detajet. Por një vendim i këtillë ishte i pritur pasi një ditë më parë, shefi i kabinetit të kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, Gergeli Gulash, kishte deklaruar që gjatë shqyrtimit të kërkesën së Gruevskit për azil në Hungari duhet të merren parasysh kushtet në burgjet e Maqedonisë dhe gjendja me gjyqësorin. Ai ka shtuar që nuk është i sigurt që Gruevski ka fituar gjykim të drejtë gjatë dënimit me dy vite burg. Kushtet në burgje mësohet të ketë qenë arsyeja që është përmendur edhe në kërkesën e Gruevskit për azil.
Zyrtarisht procedura për marrjen e përgjigjes për kërkesën për azil në Hungari zgjat 15 ditë deri në 60 ditë. Që nga kërkesa e parë për azil e Gruevskit nëpër ambasadat e vendeve ku ka kaluar gjatë arratisjes, kanë kaluar vetëm 9 ditë kurse që kur ai njoftoi zyrtarisht për këtë në faqen e tij në fejsbuk kanë kaluar vetëm 7 ditë. Më ketë, vendimi për Gruevskin është marrë më shpejt se sa parashikojnë ligjet hungareze ose siç shkruajnë disa nga mediat, Gruevski mund ta ketë bërë kërkesën edhe para arratisjes. Ish kryeministri, i dënuar në arrati, ka qenë temë debati edhe në parlamentin hungarez, kurse një nga partitë opozitare atje ka ngjitur fotografinë e tij në objektin e ligjvënësit me mbishkrimin “migranti VIP i Orbanit”. Ata kundërshtojnë azilin për një person që vjen nga një vend të cilin Hungaria e konsideron si të sigurt.
Pavarësisht kësaj, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar tashmë te autoritetet hungareze kërkesën për ekstradimin e Nikolla Gruevskit.
Në kërkesën tonë për ekstradim do të përfshihet jo vetëm vendimi për rastin “Tanku” por të gjithë aktakuzat që ekzistojnë, të gjithë procedurat hetimore, madje edhe procedurat para-hetimore. Të gjitha këto do të jenë bazë që nesër, nëse ekstradohet, të mund të ndiqet penalisht – tha Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.
Pas dorëzimit, nga dikasteri i Drejtësisë njoftojnë se në kërkesë është potencuar se ndaj Gruevskit është zhvilluar gjykim i drejtë duke respektuar të gjitha të drejtat e tij si i akuzuar dhe i mbrojtur në liri, procesi është monitoruar nga OSBE-ja, ai është siguruar nga disa truproje dhe se është falur më herët nga presidenti Ivanov. Asnjë nga veprat për të cilat gjykohet, sipas Konventës evropiane për ekstradim, nuk janë vepra për të cilat mund të refuzohet ekstradimi, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkohë, heshtjen më në fund e theu edhe Serbia. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka pranuar se nëntë ditë më parë, po në të njëjtën ditë kur ka kaluar Shqipërinë dhe Malin e Zi, Gruevski me letërnjoftim ka hyrë në vendin e tij nëpërmjet vendkalimit kufitar Gostoun dhe më pas ka kaluar në Hungari nëpërmjet vendkalimit Horgos.
Fatlume Dervishi
Loading…


