Më shumë se një javë pas trazirave në kuvend, Prokuroria Themelore ende nuk ka bërë të qartë se a janë të ftuar Kërsto Mukovski, as Sasho Vasilevski, e as Johan Tarçullovski për të dëshmuar për ngjarjet e 27 prillit.
Këta tre deputetet, shihen qartë në videot që po qarkullojnë në media, se si “mirëpresin” turmën, e cila sulmoi deputetet e shumicës parlamentare. Përveç asaj, shihet qartë se deputeti, Sasho Vasilevski, është personi që hap derën e kuvendit, dhe përqafon protestuesit që hynë brenda.
Vasilevski me ditë të tëra është i pakapshëm për gazetarët, kurse nuk është parë as në selinë e partisë së tij. Ai duhet të shpjegojë qëllimet, dhe motivin që ka shtyrë që ti hap dyert e kuvendit.
Natën e trazirave, Kërste Mukovski ishte deputeti që më së shumti u mundua ta pengojë zgjedhjet e Talat Xhaferit në sallën e kuvendit, kurse dy kolegët e tij, Tarçullovski dhe Vasilevski, ishin në komunikim të vazhdueshëm.
Para se të hyjnë protestuesit në kuvend, këta dy të fundit shihet se si komunikojnë në mes vete, kurse Vasilevski shihet qartë se është nervoz.
Dyert e kuvendit mund ti hapin vetëm tanket pasi të mbyllen prej brenda, thonë disa nga pjesëtarët e sigurimit. Nëse nuk hapeshin prej brenda, ndoshta nuk do të ndodhte ajo që ndodhi, thonë ata.
Neni 385 dhe 384 i kodit penal është i qartë, personat që janë pjesëmarrës në turma e cila do të shkaktojë dëm material, apo dhunë ndaj personave tjerë, dënohet me burg prej 3 muaj deri më pesë vjet.
Ai që merr pjesë në turmë e cila me veprim të përbashkët do të pengojë apo do të tentojë të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrës së tij zyrtare, apo do ta detyrojë të njëjtin ta kryejë detyrën zyrtare, do të dënohet me burg prej tre muajve deri në tre vjet, Neni 384.
Udhëheqësi i turmës, do të dënohet me burg prej një deri në pesë vjet.
Ai që do jetë pjesëmarrës në turmë e cila me veprim të përbashkët do të ushtrojë dhunë ndaj personave apo do të shkatërrojë apo dëmtojë pasuri në vlerë më të madhe, do të dënohet me dënim në të holla ose me burg deri në tre vjet, Neni 385, Kodi Penal.
Nëse gjatë veprimit të turmës, ndonjë person është privuar nga jeta, ka pësuar lëndime të rënda trupore, apo është shkaktuar dëm në përmasa të mëdha, pjesëmarrësi në turmë, për vetë pjesëmarrjen e tij do dënohet me burg prej tre muaj deri në pesë vjet.
Udhëheqësi i turmës do të dënohet me burg prej një deri në dhjetë vjet.
Sipas nenit 8 të Ligji për Deputet, deputetit mund ti merret mandati nëse ka kryer vepër penale me të cilën parashihet dënim prej më së paku 5 vjet burg. Por sipas nenit 17 të njëjtit ligj, deputeti nuk mund të paraburgoset pa lejen e kuvendit.

