Debat publik për propozim ligjin për amnisti organizon sot Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive. Me propozim ligjin duhet të lirohen nga vuajtja e dënimit me burg afërsisht 670 persona të dënuar me burgim deri në gjashtë muaj, ndërsa për 3.097 persona të zvogëlohet dënimi për 30 për qind.
LEXO: Ligji i amnistisë do të lirojë 670 persona dhe 3,097 të tjerëve do t’ua zvogëlojë dënimin
Propozim ligji për amnisti në lexim të parë mori mbështetje nga deputetët në seancën kuvendore që u mbajt para tre ditësh.
Ministria e Drejtësisë gjatë përgatitjes së ligjit i ka marrë parasysh kushtet në institucionet ndëshkuese-përmirësuese si institucione që duhet të mundësojnë dhe sigurojnë risocializim të suksesshëm të popullatës së dënuar dhe të cilat, theksoi në seancën kuvendore zëvendësministri i Drejtësisë Ristovski, në mënyrë jokontestuese janë të mbingarkuara, kushtet për qëndrim nga organizatat ndërkombëtare janë vlerësuar si johumane, ndërsa rreziku nga infeksioni kriminel në institucionet ndëshkuese-përmirësuese është real.
Për këtë shkak është vlerësuar se është i domosdoshëm miratimi i ligjit me të cilin një grup personash të dënuar me burg deri në gjashtë muaj për vepra të lehta penale do të lirohen nga vuajtja e dënimit. Për pjesën tjetër të të burgosurve është parashikuar ulje e dënimit të përgjithshëm për 30 për qind përveç për veprat që me këtë propozim janë përjashtuar nga amnistia.

