19 Shtator 2018 / 14:59
Ish presidenti i SHBA-së Xhorxh Bush përmes një letre drejtuar qytetarëve të Maqedonisë bën thirrje për mbështetjen e referendumit të 30 shtatorit. Bush i cili ishte president në kohën kur Maqedonia humbi shansin për të marrë ftesën për në Aleancë në Samitin e Bukureshtit për shkak të vetos greke, nënvizon se Marrëveshja e Prespës kthen Maqedoninë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Letra e Xhorxh Bush, drejtuar qytetarëve:
“Nxis çdo qytetar të Maqedonisë të merr pjesë në këtë vendim historik dhe të votoni në referendumin tuaj shtetëror në fund të këtij muaji. Pas një dekade pengesash, ju keni fuqinë të shkruani një histori të re dhe më shpresëdhënëse për ju, për fëmijët tuaj, fqinjët dhe vendin tuaj. Aleanca më e madhe për liri në historinë e njerëzimit po ruan një vend për tokën që ju e doni, dhe unë me padurim pres ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës me krenari do t’i dëshirojnë mirëseardhje Republikës së Maqedonisë së Veriut si aleati ynë më i ri, anëtari i 30-të i NATO-s”.
Ndërkaq në kuadër të fushatës për referendumin kryeministri Zoran Zaev nesër në Uashington do të pritet nga zv/presidenti amerikan Majkëll Pens.
Takimi do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë nesër, do të ketë takim bilateral dhe takimi realizohet me ftesën e nënpresidentit Pens. Do të bisedohet për përparimin e Republikës së Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO- tha Mile Boshnjakovski – Zëdhënës i Qeverisë.
Vizita e Zaev në SHBA vjen pak ditë pasi në vend qëndroi Sekretari i Mbrojtjes Xhim Matis i cili shprehu shqetësim për ndikimin e Rusisë në referendumin e 30 shtatorit. Në këtë kuadër Frankfurter Allgemajne Cajtung në një koment kushtuar vendit se Rusia nuk do të shqetësohet fare nga paralajmërimi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Matis që mos të përzihet në Maqedoni.
Frankfurter Allgemajne Cajtung:
“Moska mund të përfitojë shumë. Nëse qytetarët në fund të muajit e hedhin poshtë kompromisin për çështjen e emrit me Greqinë, atëherë anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE do të bllokohet për një periudhë të gjatë. Në këtë mënyrë, udhëheqësia ruse në Maqedoni do të arrinte ta bëjë atë që pësoi dështim spektakular në Mali të Zi- ta pengojë zgjerimin e NATO-s në Ballkan”, thekson Franfurter Allgemajne Cajtgun në shkrimin kushtuar Maqedonisë dhe shton se Moska do të vijonte njejtë sikurse deri në ndryshimin e qeverisë të shpërndajë frymën anti-perëndimore në vend.
Semra Musai


